Pazare politike, Palestina kërkoi votën e Serbisë në OKB, në këmbim të pengimit të pamvarësisë së Kosovës nga shtetet arabe

Wikileaks e ka zbulue nji hapësinë të veçantë kërkimi për e-mail’at e Hillary Clinton gjatë kohës sa ajo shërbeu si Sekretare e Shtetit amerikan.

Në këto letërkëmbime, që i ka dërgue apo pranue kandidatja kryesore për Presidente të SHBA’ve apo dikush nga stafi i saj, gjendet edhe nji që i përket pazareve që janë ba me Kosovën nga Palestina.

Në dokumentin e datës 23 Shtator të vitit 2011, të cilin e ka dërgue në adresën e administratës së Clinton’it ish-Ambasadorja Amerikane në KS të OKB’s, Rosemary A. DiCarlo, Palestina ka kërkue nga Serbia që të ndikojë te anëtari serb i presidencës boshnjake, Milorad Dodik, që të votojnë për pranimin e saj në Këshill të Sigurimit të OKB’s, sepse në të kundërtën qysh zbulohet në dokumentin e paklasifikuem, “Serbia ka me humb Kosovën mbasi shtete arabe kane me njofte pamvarësinë e saj”.

“Presidenti i Bosnjës e ka përmend se palestinezët janë rreshtue në krah të Tadic’it për me bind anëtarin serb të presidencës tre-anëtarëshe të Bosnjës për me votue për anëtarësim të plotë për Palestinën në Këshillin e Sigurimit të OKB’s. Deri tani, serbi i Bosnjës ka kundërshtue. Mbasi që nuk ka konsensus, Bosnja ka me abstenue në KS të OKB’s. Si duket palestinezët po i thonë Tadic’it se nji numër i shteteve arabe kane me njoft Kosovën nëse Serbia dhe serbët e Bosnjës nuk i përkrahin”, shkruen në emailin e ish-Ambasadores Amerikane në KS të OKB’s, Rosemary A. DiCarlo, dërguem nga Jake Sullivan, i cili shërbeu si zavendësshef i Stafit në Departament, ndërsa tani shërben si këshilltar politik i fushatës së saj presidenciale.