PDK: Akuzat ndaj Qemajl Mustafës janë të pabaza

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, përmes nji komunikate për media ka deklarue se akuzat ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe zyrtarëve tjerë komunal janë plotësisht të pabaza dhe të paqëndrueshme.

Përmes kësaj komunikate për media, PDK kallxon se qytetarët e Gjilanit e njohin punën e pastër të bamë nga Qemajl Mustafa, i cili simbas tyne, ka arritë suksese të pamohueshme në realizimin e shumë projekteve në dobi të qytetarëve të Gjilanit.

Kjo asht komunikata e plotë:

Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan është e befasuar me rastin e ngritjes së aktakuzave ndaj ish kryetarit të komunës dhe zyrtarëve tjerë komunal, për të cilat beson që janë plotësisht të pabaza dhe të paqëndrueshme.

Qytetarët e Gjilanit e njohin shumë mirë punën e pastër të bërë nga qeverisja e Qemajl Mustafës, ku me devotshmëri e profesionalizëm të zyrtarëve komunal, kanë arritur suksese të pamohueshme në realizimin e shumë projekteve në dobi të qytetarëve të Gjilanit.

Ne jemi plotësisht të bindur se qeverisja gjashtë vjeqare e PDK-së në Gjilan, në punën e saj ka respektuar të gjitha procedurat dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kjo është dëshmuar edhe përmes disa hetimeve tjera që janë bërë në të kaluarën nga Prokuroria dhe EULEX-i dhe asnjëherë deri më tani, nuk është gjetur ndonjë dëshmi për shkelje ligjore apo korrupsion.

Partia Demokratike e Kosovës i bënë thirrje instistucioneve të drejtësisë që pa ndikime politike të kryejë detyrën e saj, duke ofruar edhe gadishmërinë tonë për bashkëpunim institucional, në mënyrë që sa më parë të sqarohen dhe të përfundojnë këto procese ligjore.

Ne besojmë dhe jemi të bindur që drejtësia në fund ta thot fjalen e vet dhe te vërtetojë pastërtinë e punës së qeverisjes komunale e cila ishte udhëhequr me përgjegjësi nga PDK dhe ish kryetari Mustafa.