PDK, e gatshme me i ndigjue propozimet e Opozitës për Demarkacionin

Partia Demokratike e Kosovës shprehet e gatshme t’i ndigjojë propozimet e opozitës në lidhje me procesin e Demarkacionit të kufinit me Malin e Zi, si nji çashtje që nuk po gjen zgjidhje në Kosovë për ma gjatë se nji vit.

Reflektimi i Partisë Demokratike vjen në kohën kur kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo partnere me PDK në koalicionin qeverisës, ka ritheksue se ka me procedue në Kuvend marrëveshjen aktuale, pamvarësisht se ajo ishte kundërshtue nga opozita dhe nji pjesë e deputetëve të partive në pushtet.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Zenun Pajaziti, thotë se kohëve të fundit ka disa nisma në funksion të gjetjes së nji zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Në të kundërtën, ai thotë se ka me u dasht të procedohet me marrëveshjen aktuale.

“Kohëve të fundit po kqyret mundësia dhe po bahen përpjekje që të gjendet nji koncensus, në mënyrë që edhe nga opozita, të ulemi, dhe kqyrim nëse ka ndonji propozim tjetër se si ta zhvillojmë këtë proces tutje”.

“Në fakt, po presim që të ketë nji normalitet në funksion të kësaj çashtje, në mënyrë që të ulen të gjithë, edhe liderët e partive politike dhe të shihet nëse ka ndonji ide tjetër. Nëse jo, atëherë procesi asht i pashmangshëm. Marrëveshjet e tilla gjithsesi që duhet të ratifikohen në Kuvend”, deklaron Zenun Pajaziti për Radion Europa e Lirë.