PDK i fton organet e rendit me i ndërmarr tana hapat kundër atyne që me metoda paramilitare kanë degradue sigurinë në vend

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, sot, gjatë takimit të rregullt, diskutoi për situatën aktuale në vend. Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se i tanë spektri politik duhet me qenë i bashkuem për çashtjet me randësi nacionale, siç janë demarkacioni dhe çashtje tjera që forcojnë shtetësinë tonë.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare asht jetik për fuqizimin e shtetit tonë, por edhe për proceset e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, me fokus të veçantë në gjendjen aktuale të sigurisë, thekson se demokracia jonë duhet me qenë e bazueme në respektimin dhe zbatimin e rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim mbështetë punën institucionale të organeve përgjegjëse si dhe mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare të pranishme në vendin tonë.

Partia Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh i ka përcjellë ngjarjet e sotme, ku zyrtarë dhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestue me dyshime në lidhje me sulmet e armatosuna kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, konkretisht Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, fton organet e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjithë hapat ligjorë kundër të gjithë atyne që nëpërmjet metodave dhe akcioneve paramilitare kanë degradue sigurinë në vend dhe kanë cenue lirinë e secilit qytetar të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, si partia ma e madhe dhe me besimin ma të madh të qytetarëve në vend, ka me kundërshtue fuqishëm forcat destabilizuese dhe ka me qenë garancë e funksionimit të shtetit të pamvarun dhe sovran. Çdo veprim që bjen ndesh me ligjin, që cenon lirinë, sigurinë dhe jetën e qytetarëve, ka me qenë i dënueshëm.