PDK me komunikatë: Na ofruem zgjidhje, partitë tash…

Partia Demokratike e Kosovës me anë të nji komunikate ka kërkue nga partitë politike që t’i lajnë anash interesat vetjake dhe të gjejnë nji zgjidhje për vendin.

Në komunikatën e kësaj partie thuhet se asnjiherë nuk kane me lejue që të cenohet karakteri kushtetues dhe demokratik i Kosovës.

Lexo komunikatën e plotë:

Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të angazhohet me subjektet politike për të shmangur krizën politike, por në asnjë mënyrë nuk lejon të cenohet karakteri kushtetues dhe demokratik i institucioneve të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk është udhëhequr prej mendësive bllokuese dhe deri më tash ka lëshuar rrugë shumë herë, duke lënë anash interesin partiak në dobi të ruajtjes së unitetit dhe interesit të shoqërisë dhe shtetit tonë.

Si subjekt politik, për ta shmangur krizën politike, ne e kemi bërë publike edhe ofertën tonë, e cila është vetëm në shërbim të krijimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe në asnjë mënyrë nuk do të bëhet për të kënaqur animozitetet individuale apo partiake të të tjerëve.

Partia Demokratike e Kosovës apelon te të gjitha subjektet politike parlamentare, që t’i braktisin mendësitë bllokuese, t’i lënë anash interesat partiake dhe egot personale, si dhe të kontribuojnë për krijimin e institucioneve shtetërore.

Partia Demokratike e Kosovës, bashkë me partnerët e saj të koalicionet, mbesin të përkushtuar që të formojnë institucionet e Republikës së Kosovës mbi vullnetin e shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit.