PDK me komunikatë për Bekim Jasharin, ka disa fjalë edhe për Vetëvendosjen

Partia Demokratike e Kosovës ka qartësue përkrahjen e fuqishme në drejtim të kandidatit për Skënderaj, Bekim Jashari, tue u deklarue se asht pikërisht Vetëvendosje që po mundohet m’i hutue qytetarët.

Me këtë rast, dega e PDK në Skënderaj ka theksue se tue i pa përpjekjet e fundit në kundërshtim me këtë fakt, ripërsërit përkrahjen në drejtim të Bekim Jasharit, si kandidat për kryetar të kësaj komune.

Kjo asht komunikata e plotë:

Dega e PDK-së në Skenderaj, duke i parë përpjekjet e sotme të ulëta të atyre që shquhen për komplote, ripërsërit se e gjithë Partia Demokratike e Kosovës e përkrah kandidatin e pavarur për Kryetar të Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari. Akuzat për komplot të atyre që komplotin e kanë pikënisje dhe orientim të tyre programor politik janë qesharake dhe po bëhen vetëm për ta hutuar elektoratin e PDK-së në Skenderaj. PDK në Skenderaj, bashkë me kryetarin e degës z. Sami Lushtaku, në momentin e parë që z. Bekim Jashari ka shfaqur interesimin e tij për kandidim në zgjedhje lokale, janë deklaruar publikisht se Skenderaj e ka për nder që ta ketë për kryetar z. Jashari. Gjithashtu, për hir të respektit për familjen Jashari, ne kemi deklaruar se në asnjë rrethanë nuk do t’i konkurrojmë atij. Përkrahjen për z. Jashari e ka shfaqur publikisht edhe Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, në takimin hapës të fushatës zgjedhore në Skenderaj, duke kërkuar nga të gjithë anëtarët e PDK-së dhe strukturat drejtuese të saj, që ta përkrahin pa rezervë z. Bekim Jashari. Jemi të bindur se qytetarët e kanë të qartë se komplotet janë mjeshtri e partisë Vetëvendosje, e cila çdo ditë i bënë ato në dëm të shtetit të Kosovës, për të cilin qytetarët dhe posaçërisht familja e Bekim Jashari dhanë gjithçka. Ideologjia komplotiste e Vetëvendosjes po tentohet të instalohet kudo, por pafuqia për të bërë këtë në Skenderaj, ku PDK ka bastionin më të fuqishëm të saj, si duket i paska bërë nervozë një grusht aktivistësh të manipuluar të tyre në Skenderaj. PDK në Skenderaj vazhdon fuqishëm garën elektorale me kandidatët e saj për këshilltarë komunalë dhe në përkrahje të kandidatit të pavarur Bekim Jashari, duke qenë e sigurt në fitoren e saj të radhës.

Shperndaje në: