PDK reagon ndaj gjuhës fyese të Visar Ymerit

PDK ka reague ndaj deklaratave të sotshme të kryetarit të Vetëvëndosjes Visar Ymeri, i cili i ka quejt Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Isa Mustafën “derra”.

Simbas PDK’s, kjo gjuhë e përdorun asht e pandigjueme ma parë në skenën politike dhe se perdorimi i këtij lloji të gjuhës tregon humbjen e arsyes dhe argumenteve opozitare.

Ma poshtë lexoni reagimin e plotë të PDK’s:

Partia Demokratike e Kosovës reagon ndaj gjuhës fyese të Visar Ymerit

Në konferencën e sotme për media, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, me gjuhë të ulët, të padëgjuar deri më sot në skenën politike të vendit, ka fyer tre drejtuesit më të lartë të shtetit.

Gjuha e tillë e turpshme e Ymerit, shkon përtej fjalorit politik, vlerave demokratike dhe kodit elementar etik, duke fyer rëndë bartësit e përgjegjësive shtetërore e institucionale, të dala nga vota e lirë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se gjuha e tillë e Visar Ymerit, dëshmon qartë për humbjen e arsyes dhe argumenteve opozitare, përkitazi me çështjet madhore dhe sfidat që po kalon vendi.