PDK: Sulmi i Kuvendit n’kohën e debateve me interes nacional

Partia Demokratike e Kosovës, e ka dënue fuqishëm aktin kriminal të sulmit kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës.

PDK në reagimin e saj, sulmin e mbramshëm e ka konsiderue si akt të organizuem kriminal, kundër vlerave të institucionit ma të naltë legjislativ të vendit.

 

Lexoni reagimin e plotë të PDK’s:

Partia Demokratike e Kosovës, dënon fuqishëm sulmin ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar si akt të organizuar kriminal, kundër vlerave të institucionit më të lartë legjislativ të vendit. Sulmi i rëndë kriminal ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, është sulm ndaj të arriturave të Republikës së Kosovës, ndaj shtetit, rendit demokratik, kushtetues dhe qytetarëve të saj.

Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se ky akt kriminal, është bërë në kohën kur debatet për çështjet e interesit nacional janë e arritur e re e vendit tonë, përfaqësuesve të saj dhe frymës së tolerancës e transparencës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Partitë politike, deputetët dhe opinioni publik kanë përgjegjësi dhe duhet të kontribuojnë në ruajtjen e imazhit dhe promovimit të arriturave të vendit dhe synimit euro-integrues, me vlerat e shoqërisë së lirë dhe demokratike që po ndërtojmë së bashku me partnerët tanë, ShBA-në dhe BE-në. Partia Demokratike e Kosovës, fton organet e rendit që sa më shpejtë të gjejnë aktorët e këtij krimi të rëndë, të planifikuar, duke i vënë ata para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.