Pendohen terroristët, rrefehen për ‘sulmin ndaj Izraelit’

Mbas 11 arrestimeve të kryeme mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipnisë për çashtje terrorizmi, dy nga të dyshuemit kanë pranue me folë e me u kthye në bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Burime nga Krimet e Randa deklarojnë se janë informue nga homologët e tyne në Kosovë, se dy nga të dyshuemit kanë rrëfyer planin e tyne për me sulmue stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, fillimisht me eksploziv e më pas me armë zjarri.

Ky sulm do të kryhej gjatë mbërritjes së futbollistëve izraelitë, ndërkohë që grupi i të dyshuemve në Shqipni do të ishin pjesa mbështetëse e terroristëve.

Mbasi asht vënë në dijeni të këtij informacioni, Prokuroria e Krimeve të Randa ka me i dergue letër-porosi Prokurorisë Speciale në Kosovë për me i marrë të dhanat në rrugë zyrtare, së bashku me emnat e personave të tjerë të implikuem në Shqipni në planin e sulmit të zbuluem nga përgjimet intensive jo vetëm të autoriteteve shqiptare, por edhe atyne të hueja.

Të katër të dyshuemit në Shqipni, që mbahen në “arrest me burg”, nuk kanë pranue të flasin tue mohue çdo qendrim të prokurorisë.

Por ata shfaqen në komunikimet telefonike dhe në rrjetet sociale tue paralajmërue se goditja ka me u kry se shpejti.

Përveç akuzës së aktit terrorist, ata mbahen në paraburgim edhe për rekrutim të shtetasve në luftimet në Siri dhe indoktrinim të besimtarëve në grupin terrorist ISIS.