Për arrestimin e nënkolonel Thaçit po bisedohet edhe në Bruksel

Arrestimi i nënkolonelit Nehat Thaçi, drejtor rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, nga ana e autoriteteve të Serbisë po trajtohet nga ministria për Dialog në kuadër të bisedimeve me Beogradin në Bruksel.

Zavendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj ka thanë se me çashtjen e Thaçit po merret ministria për Dialog.

Nga Brukseli, ministrja Edita Tahiri u ka ba thirrje autoriteteve të Beogradit që të lirojnë Thaçin, i cili po mbahet në paraburgim nën “akuzën për terrorizëm”.

Pritjet e qeverisë së Kosovës janë që me këtë çështje të merret edhe Bashkimi Evropian, si lehtësues në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ministria e Punëve të Mbrendshme të Serbisë ka konfirmue njoftimet se policia ka arrestue Nehat Thaçin, nga Ferizaj, në bazë të “fletarrestit të lëshuem me urdhën të Gjykatës së Naltë në Nish për veprën penale të terrorizmit”.

Në kumtesën e Ministrisë thuhet se “Thaçi u arrestue të Mërkurën në mbramje rreth orës 20 në vendkalimin administrativ Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hymje në territorin e Serbisë Qendrore”.

“Në bazë të vendimit të Gjykatës së Naltë në Nish për përcaktimin e paraburgimit nga viti 2010, Thaçi asht dërgue në njësinë e paraburgimit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë.