Për çka po i falenderon kryetari i Listës Serbe, Thaçin e Mustafën

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simic, ka falenderue kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, që, siç ka thanë ai, pamvarësisht rezistencës të nji pjese të komunitetit shqiptar në Kosovë, ma në fund gjetën kurajën për të mbështetë publikisht procesin e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe nisjen e punimeve të Këshillit Themelues të Asociacionit.

Simic, në nji deklaratë për Tanjug, tha se asht i kënaqun me faktin se marrëveshja e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lista Serbe po fillon të zbatohet, njofton Klan Kosova.

Ndërsa, siç asht mësue tashma, Ekipi Themelues i Asociacionit asht i përbamë nga, Igor Kalamar, Dejan Radojkovic dhe dy anëtarë të ri, Vinka Radosavljevic dhe Svetislav Durlevic.

Ndërkohë, ma herët Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka hedhë poshtë këto pretendime tue shprehë se: “Dëshiroj të demantoj lajmet se gjoja Ekipi Menaxhues asht krijue tash dhe të demantoj lajmet që asht krijue nga Presidenti i Kosovës dhe nga Kryeministri i Kosovës, sepse Grupi Menaxhues asht formue në vitin 2013″.