Për çka po shqetësohet NATO në lidhje me Donald Trump?

Sekretari i përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, thotë se perendimi po ballafaqohet me njanën prej sfidave ma të mëdha të sigurisë dhe se “kjo nuk asht kohë për me vnue pikëpyetje në partneritetin ndërmjet Europës dhe Shteteve të Bashkueme”.

Në nji artikull të botuem sot në të përditshmen londineze, Observer, Stoltenberg ka shkrue se “ne ballafaqohemi me sfidat ma të mëdha për sigurinë tonë për nji gjeneratë”, për shkak të shqetësimeve për pikëpamjet e presidentit të zgjedhun amerikan, Donald Trump, për NATO’n.

Trump ka shkaktue shqetësim gjatë fushatës së tij zgjedhore, kur ka sugjerue se Washingtoni duhet me shqyrtue nëse ka me ju ndihmue aleatëve të NATO’s, që janë të kërcënuem, nëse ata nuk kanë pague në mënyrë korrekte pjesën e tyne për mbrojtje.

Kjo deklaratë ka hedhë dyshim në përkushtimin për mbrojtje kolektive të NATO’s, i përcaktuem në Nenin 5 të Aktit Themelues.

Stoltenberg, ma tutje në artikullin e tij, ka theksue se NATO’ja për të parën herë e ka aktivizue këtë nen, simbas të cilit “sulmi ndaj nji anëtari asht sulm ndaj të gjithëve”, mbas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkueme.

Stoltenberg tha se NATO’ja ende luen rol madhor në luftimin e terrorizmit dhe asht përgjigjë ndaj “vetëbesimit të shtuem të Rusisë”.