Përkujtimi i Isa Mustafës për Nekibe Kelmendin

Kryeministri i Kosovës, njiherit kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtue sot Nekibe Kelmendin në pesë vjetorin e vdekjes.

Statusi plotë i Mustafës në Facebook:

Përkujtojmë sot Nekibe Kelmendin, Ministren e Drejtësisë, deputeten e Kuvendit të Kosovës, nënkryetaren e LDK-së, gruan e fortë të Kosovës. Nekiben, të cilës okupatorët serb natën e 24 dhe 25 marsit të vitit 1999, në shenjë hakmarrjeje për veprimtarinë atdhetare, ia masakruan dhe vranë bashkëshortin Bajram Kelmendin, avokat, dhe djemtë Kastriotin dhe Kushtrimin, por kurrë nuk e humbi vullnetin të punojë për Kosovën, për të ardhmen e gjeneratave të bijve të saj.

Nekiben tonë, para pesë vitesh e mundi një sëmundje e rëndë.

Ishte veprimtare dhe shtyllë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, luftëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, stratege e ndërtimit të shtetit të së drejtës. Grua me tipare që kishte durim të dëgjojë të tjerët por edhe guxim për të shprehur qartë qëndrimet e saj.

Shëmbëlltyrë e personalitetit të fortë, vullnetit, guximit dhe dijes.