Pjesë e skandalit “Panama Papers” edhe biznismeni shqiptar me avokatin izraelit, që refuzoi me folë me Rrokum TV sapo mësoi se ka të bajë me gazetarë

11 milion dokumente të nji prej kompanive ma të mshefta të botës, firma e ligjore Mossack Fonseca në Panama janë publikue nga nji grup gazetarësh hetues.

Rrjedhja e këtyne dokumenteve konfidenciale zbulon se si të pasunit dhe të fuqishmit e përdornin këtë parajsë fiskale për me e mshefë pasuninë e tyne.

“Panama Papers” zbulon se si Mossack Fonseca u ka ndihmue kompanive për pastrimin e pareve dhe për me e shmangë tatimin. Dokumentet tregojnë përfshimjen e 12 krerëve apo ish-krerëve të shteteve dhe të paktën 60 persona të lidhun me liderët aktualë apo të maparshëm të botës të përfshimë në skandal.

Panama Papers përfshin emra që nga Vladimir Putin te Kryeministri i Islandës, nga Presidenti i Ukrainës deri te regjimet e Lindjes; nga zyrtarët e FIFA’s deri te Lionel Messi e Michel Platini.

Dosja në tanësi përmban 11.5 milionë nëndosje sekrete, për nji total prej 2.6 terabyte – e – mail, PDF dhe “file” që mbulojnë nji periudhë nga viti 1970 deri në pranverën e 2016 dhe po procesohen nga agjencitë ma me nam nëpër botë; nga Suddeutsche Zeitung, The Guardian, BBC, WDR, Le Monde, El Confidencial, La Nacion, NDR – e të tjera plot. Mbi 100 media me 400 gazetarë nga 80 shtete, po bashkëpunojnë për me publikue mbi 12 milionë dokumente me fakte për manipulime të jashtëzakonshme financiare.

Presidenti francez Francois Hollande i ka përshëndetë këto zbulime, të cilat si tha ai kanë me i rritë të ardhunat e shteteve nga vjelja e taksave të atyne që kanë ba evazion fiskal.

Gerard Ryle, drejtor i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ), tha se dokumentet paraqesin çdo ditë të biznisit në Mossack Fonseca gjatë 40 viteteve të fundit.

“Mendoj se kjo ka me qenë goditja ma e madhe e llojit të saj në botë, për shkak të numrit të dokumeneve dhe njerëzve të përfshimë” ka theksue ai.

Qeveria panameze asht shpreh e gatshme me bashkëpunue për rastin e të ashtuquejtunave “Letrat e Panamasë”, dokumente të publikueme në nji rrjet për 214 mijë kompani që kanë mshefë paratë e tyne në të ashtuquejtunat parajsa fiskale.

Në këtë skandal asht përfshi edhe Shqipnia . Bahet fjalë për kompaninë ‘GFI Technologies’ të regjistrueme në Maj të 2013-s në ishullin Anguila, për me investue në Shqipni në kompanitë shqiptare të teknologjisë së naltë.

“GFI Albania” asht nji ish-kompani e markimit të karburanteve në Shqipni, të cilës iu dha licenca nga ish-Kryeministri Berisha dhe në 2015 iu hoq nga mbasardhësi i tij, Edi Rama.

Në shkrim përmendet emni i avokatit izraelit Assaf Halkin i cili se bashku me nji shtetas shqiptar me emnin Ismail Mulleti dhe nji firmë kanadeze ‘Global Fluids International S.A’, janë pronarët e kompanisë ‘GFI Technologies’.

Televizioni Rrokum provoi me kontaktue me avokatin izraelit përmes telefonit, por Assaf Halkin nuk pranoi me folë, sapo mësoi se ka të bajë me gazetarë.

Megjithatë avokati citohet të ketë thanë për median izraelite, se kompania e tij i ka raportue të gjitha të ardhunat në organet përkatëse.

Simbas Odës Izraelite të Avokatëve, Halkin ka nji studio ligjore në qytetin Hamat Hasharon dhe asht i specializuem edhe në pastrimin e pareve.

Ndërkohë, media në Tiranë citon nji botues dhe nji ish-truprojë të ish-Presidentit Sali Berisha, simbas të cilëve, mbas biznismenit Mulleti fshihen eksponentë të naltë të Partisë Demokratike.

Simbas dokumenteve të Qendrës Kombëtarëe të Regjistrimit të bizniseve në Shqipni, avokati Halkin dhe Ismail Mulleti rezultojnë se kanë ngritë edhe kompaninë “IMAH” me seli në qendrën e biznesit në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë.

Shoqnia e themelueme në Fror të vitit 2014 ka për administratore Entela Shehaj. Aty Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin janë me pjesë të barabarta nga 45%.
Bashkëpronare e shoqnisë ‘GFI Technologies’ rezulton ‘Global Fluids International S.A’, e cila në vitin 2013 mori në Shqipni koncesionin e markimit të karburanteve. Kjo kompani në vitin 2015i shiti thuejse të tana aksionet kompanisë GFI Abania, tue mbajtë vetëm 0.7% të tyne.