Policia ka ba lëshim teknik, Boiken Abazi s’ka krye vepër penale veç ka hy ilegalisht në vend

Policia e Kosovës ka ba nji lëshim teknik. Në urdhnin për largim me forcë të shtetasit shqiptar Boiken Abazi, i cili u dëbue nji ditë ma parë nga Kosova, ai ngarkohej me pesë vepra penale, simbas Policisë, por pa u dhanë asnji arsyetim se për cilat vepra bahej fjalë.

Krejt kjo, del të ketë qenë nji gabim i policisë.

Policia e Kosovës sot e ka pranue se zyrtari i VV’s nga Shqipnia, Boiken Abazi nuk ka krye vepër penale në Kosovë e as s’asht nën hetime.

Zadhanësi i Policisë, Baki Kelani e arsyeton këtë me kinse nji gabim teknik që asht ba në Urdhnin për largim me forcë të shtetasit shqiptar.

Boiken Abazi është larguar se ka kundërvajtje, e jo vepër penale. Aty në njëfarë mënyrë është një gabim teknik i përvjedhur. Ndryshe, ai nuk ka vepër penale por vetëm kundërvajtje”, i ka thanë zadhënësi i Policisë Baki Kelani, portalit “Insajderi”.

Në urdhnin për largim me forcë, Abazi pos që ngarkohet me përgjegjësi penale, ngarkohet edhe me përgjegjësi të “kërcënimit të rendit dhe sigurisë shtetnore të Republikës së Kosovës”.

Megjithatë, me asnji pjesë të urdhnit nuk arsyetohet se qysh e shkakton këtë rrezik.

Urdhni për dëbim e Boiken Abazit cek se “më 16 mars 2016, Boiken Abazi, është ndaluar nga Policia e Kosovës në Prishtinë”.

Gjatë procedurës së verifikimit të hyrjeve – daljeve në Kosovë, thuhet se asht konstatue se Abazi e ka pasë daljen e fundit nga Kosova me 3 Fror 2016 dhe nuk ka të dhana të hymjes së ligjshme në Kosovës mbas kësaj date.

I njëjti në mënyrë të paligjshme ka hyrë dhe qëndruar në Republikën e Kosovës në kundërshtim me dispozitat nga ligji për të huajt. Gjatë përllogaritjes së qëndrimit të tij në Kosovë është konstatuar se ka konsumuar afatin 90 ditor të qëndrimit në Kosovë në periudhën kohore prej gjashtë muajve”, thuhet në urdhnin për dënim.

Duke u bazuar në evidencat e Policisë së Kosovës si dhe sistemit SIPK i njëjti ka pesë raste të hapura për vepra të ndryshme penale gjatë qëndrimit në territorin e Kosovës”, ka theksue Policia.

Tue u bazue në këto konstatime, “Policia ka ndërmarrë masën e dëbimit nga territori i Republikës së Kosovës pasi që prania e tij përbënë kërcënim për rendin dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës”.

Policia ka thanë se vendimi asht i bazuem dhe asht nxjerr në konsultim me prokurorin.

Sa i përket urdhrit për dëbim, Policia është konsultuar me prokurorin dhe çdo veprim që është bërë është bërë në konsultim me prokurorin”, ka thanë për “Insajderi”, Kelani.

“Prokuroria e ka dhënë lejen që ai duhet të dëbohet. Prokurori ua ka dhënë të drejtën për depërtim por ka vetëm kundërvajtje e jo vepër penale. Zyrtari që e ka mbush, e ka bërë një gabim që ju ka përvjedhur”, ka thanë zadhanësi i Policisë.

Ndryshe, dëbimi i zyrtarit të nalt të VV’s ka ngjall reagime të partisë së Visar Ymerit, të cilët pretendojnë se pushteti në vend, në pamundësi që të dëboi shtetas serb që qëndrojnë ilegalisht në Kosovës, e bajnë nji gja të tillë me ata që vijnë nga Shqipnia për me i kontribue shtetit.