Policia: Thaçi kurrë s’ka qenë ma herët në Serbi

Ndonëse ka qenë i ftuem për raportim, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Punë të Mbrendshme.

Në vend të tij, zavendësdrejtori Naim Rexha, ka raportue rreth arrestimit të drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit, nga autoritetet e Serbisë.

Ai ka deklarue se Policia së bashku me ministrin e Punëve të Mbrendshme dhe Qeverinë e Kosovës, po angazhohet për lirimin e Thaçit, nga paraburgimi prej 30 ditësh në burgun e Nishit.

“Autoritet serbe për arrestimin e Thaçit kanë kontakte me UNMIK, por jo edhe me Policinë e Kosovës. Simbas deshmitarëve të rastit, Thaçi asht ndalue në kufi rreth orës 20:00, të datës 28 Shtator, në atë kohë Thaçi ka qenë në pushim pesë ditor, të autorizuem nga Policia.

Thaçi kishte planifikue me vizitue të afërmit e tij në Gjermani dhe Zvicër tue kalue tranzit nepër Serbi”, tha Rexha.

Rexha ka deklarue se fletëarresti për Thaçin nga ana e Serbisë, asht lëshue në vitin 2010, ndërsa kjo ka qenë hera e parë që ai ka kalue nëpër Serbi.

Ai ka thanë se drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni nuk ka injorue Komisionin, por ka qenë jashtë vendit.

Ndërsa, deputeti nga radhët e AAK’s, Daut Haradinaj, vlerësoi se Policia e Kosovës nuk duhet me u politizue në rastin e Thaçit, por duhet me zbatue ligjin në fuqi.