Presidenti bullgar e fton Thaçin në Sofje

thaciiiiiiii

Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, mbas ceremonisë së inaugurimit, i ka dergue nji letër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilës e ka ftue që të marrë pjesë në Samitin e Udhëheqësve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore, i cili do të mbahet në Sofje më 1 Qershor të vitit 2016.

Kjo asht letra e Presidentit të Bullgarisë, Rosen Plevneliev, dergue sot Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi:

I nderuari z. President,

Këtë vit ne shënojmë 20-vjetorin e themelimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili ka filluar me Deklaratën e Sofjes të vitit 1996 mbi Marrëdhëniet e mira Fqinjësore, Stabilitet, Siguri dhe Bashkëpunim në Ballkan.
Në dy dekadat e fundit, SEECP ka pozicionuar veten si një format kryesor politik për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Në qershor të vitit të kaluar, Bullgaria mori kryesimin e SEECP për herë të tretë.
Me moton “SEECP – 20 vite kyçe për Bashkëpunimin Rajonal”, kryesia bullgare ka caktuar një agjendë ambicioze dhe të orientuar në rezultate.

Ne kemi përqendruar përpjekjet tona në tri fushat prioritare të bashkëpunimit: lidhshmëria – infrastruktura energjetike dhe e transportit; fuqizimi i demokracisë, lirisë së medias dhe shoqërive civile në rajon; siguria dhe migrimi.

Takimi i dytë joformal i Ministrave të Punëve të Jashtme, i mbajtur më 2 shkurt 2016, në Sofje, miratoi një Deklaratë të Përbashkët për adresimin e sfidave të cilat dalin nga flukset e migrimit.

Ka ardhur koha që të shqyrtojmë hapat tonë të ardhshëm. Për këtë qëllim, kam nderin t’ju ftoj që të merrni pjesë në Samitin e Udhëheqësve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili do të mbahet në Sofje, më 1 qershor të vitit 2016.

Kryesia Bullgare synon të përgatisë një deklaratë për nder të 20-vjetorit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, duke njohur SEECP si një format kryesor politik për partneritet të qëndrueshëm në Evropën Juglindore dhe platformë kryesore për integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik.

Pres me padurim takimin me ju gjatë Samitit në qershor.

Ju lutem, pranoni konsideratën time më të lartë.