Presidenti i Gjermanisë uron Thaçin: Te President Thaçi drejtohet shpresa për nji ndërmjetësim mes forcave politike të vendit

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, i ka dërgue letër urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, për marrjen e detyrës së të parit të shtetit.

Në letrën e tij, Presidenti Gauck thotë se te Presidenti Thaçi drejtohet shpresa për nji ndërmjetësim mes forcave politike të vendit dhe se Gjermania ka me vazhdue me qëndrue përkrah Kosovës si mike e besueshme dhe partnere mbështetëse.

Letra e plotë:

Shkëlqesisë suaj
Presidentit të Republikës së Kosovës
Zoti President,
Me rastin e marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, ju dërgoj edhe në emrin e qytetarëve të vendit tim, urimet e mia më të mira. Në ushtrimin e detyrës tuaj me plot përgjegjësi, ju dëshiroj shumë kreativitet dhe suksese.
Ju po merrni detyrën tuaj në një kohë kur janë tejkaluar shumë vështirësi për institucionet demokratike të Republikës së Kosovës. Pikërisht tek presidenti drejtohet shpresa për një ndërmjetësim mes forcave politike të vendit. Për kontributin tuaj në përafrim dhe mirëkuptim, ju dëshiroj maturi, durim dhe qëndrueshmëri.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, me qëllim që t’i përkushtohet sërish me tërë energjinë, pikërisht atyre reformave që përmirësojnë perspektivat socio-ekonomike të qytetarëve të vendit, që forcojmë sundimin e ligjit dhe demokracisë dhe, në këtë mënyrë, thellojnë afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Jam i bindur se edhe në detyrën e re ju do të mbështesni qeverinë e vendit tuaj të ecën përpara në rrugën e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Jeni të sigurt që Gjermania do të vazhdojë t’i qëndrojë përkrah Republikës së Kosovës, si mike e besueshme dhe partnere mbështetëse.