Presidenti Nishani: Shqipnia ende s’asht nda nga e kaluemja komuniste

Përkujtimi i “Tetorit gjerman” prej 25 vjetësh, kur mes dy Gjermanive ra perdja e hekurt ideologjike, asht momenti i reflektimit të tanë Europës Lindore për raportin e saj me të kaluemen komuniste.

Për Presidentin Nishani, i përfshimë së fundi në debatin historik, por edhe politik të dekorimit të disa ballistëve, ishte momenti ma i mirë për me ju përgjigjë sulmeve ndaj tij nga e majta.

“Me keqardhje konstatoj se mbas 26 vjetesh modeli gjerman, Shqipnia nuk asht nda plotësisht nga e kaluemja komuniste. Dosjet e sigurimit të shtetit në Shqipni nuk janë ende të akcesueshme dhe lustracioni as që merret në konsideratë. Simbolet e diktaturës dhe regjimit komunist, po rikthehen fatkeqësisht dokshëm e shpesh të kamuflueme me elementë artistikë”, deklaroi presidenti i Shqipnisë.

Presidenti Nishani e thelloi sulmin e tij ndaj kritikëve.

“Klasa politike shqiptare sot ka për detyrë me marrë seriozisht dënimin e krimeve të komunizmit dhe respektimin e rezolutave të Këshillit të Europës të viteve 1996-2006”, shtoi ai.

“Shtimi i zanave nostaligjikë, shpeshherë dhe nga politikanë në mbrojtje të hapun të krimeve të kryeme nga komunizmi dhe sigurimi i shtetit, duhet me shërbye si nji kambanë alarmi për tanë shoqninë shqiptare”, u shpreh presidenti Nishani.