Presidenti tash i kërkon zyrtarisht Kryeministrit m’i nda 100 mijë dollarë për Houston’in

Dje Presidenti Thaçi i kishte kërkue nëpërmjet Facebook’ut nji gja të tillë Kryeministrit Mustafa. Mbas reagimit të Mustafës, i cili tha se gjana të tilla nuk bahen nëpërmjet rrjeteve sociale, Presidenti Thaçi, i ka nisë letër shefit të egzekutivit në largim që me ja nda së paku 100 mijë dollarë si ndihmë për qytetarët e prekun nga uragani në Houston të SHBA’ve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe zyrtarisht i ka dërgue shkresën kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për me i mbështetë qytetarët e Houston të SHBA’ve, mbas përmbytjeve të nxituna nga uragani Harvey.


Kjo asht shkresa e plotë e presidentit Thaçi drejtue kryeministrit, Isa Mustafa:

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Z. Mustafa,

Duke njohur përkrahjen e madhe që ka dhënë dhe po japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lirinë dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës,

Duke marrë parasysh shpirtin solidar të popullit të Kosovës, që nuk harron kurrë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën,

Duke ndjerë shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të ndara me shqetësimet dhe zhvillimet në Hjuston, pas reshjeve dhe përmbytjeve masive të shkaktuara nga uragani Harvey,

I bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim urgjent për ndarjen e së paku njëqindmijë dollarëve amerikanë (100.000 US$), në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë. Jam i vetëdijshëm që kjo shumë është simbolike, por ne, si një shtet i ri, por me një traditë shekullore të solidaritetit, gjithmonë kemi ndihmuar me aq sa kemi pasur mundësi.

I nderuari Z. Mustafa,

Jam i bindur që Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilën Ju e udhëhiqni, në një kohë sa me të shpejtë, do të bëjë ndarjen e kësaj shume simbolike financiare si dëshmi e solidaritet të qytetarëve të Republikës së Kosovës me qytetarët e Hjustonit.

Me respekt!

Hashim Thaçi

President i Republikës së Kosovës

Shperndaje në: