Presidenti Thaçi, BE’s: Pse nuk jau kërkuet vendeve të rajonit Demarkacionin për liberalizimin e vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në nji shkrim autorial për gazetën New Europe – e cila trajton çashtjet e Bashkimit Europian, ka kërkue nga Brukseli mos me i vendos Kosovës afate jorealiste për Demarkacion, të cilat, simbas tij, ma shumë i bajnë dam Kosovës se sa i ndihmojnë.

“Jam i sigurt se Demarkacioni me Malin e Zi ka me përfundue, por presioni që me ba këtë mbrenda afateve jorealiste ma shumë ka me i ba dam se ka me ndihmue”, ka shkrue Thaçi.

Gazeta Express e sjell të përkthyeme plotësisht në gjuhën shqipe shkrimin e Presidentit Thaçi:

Kosova është e përfshirë në një dialog për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian që pesë vjet, dhe angazhohet për arritjen e këtij objektivi edhe më gjatë se kaq. Fqinjët e saj në rajon pothuajse e kanë harruar atë nëpër të cilën kanë kaluar mbi gjashtë vjet më parë, e tani janë mësuar me këtë liri bazike. A është Kosova aq ndryshe prej fqinjëve të saj? Zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian kanë thënë një vit e gjysmë më parë se Kosova është pak metra larg liberalizimit. Për sa metra bëhet fjalë, a thua?

Ne s’kemi se si të mos e vërejmë trajtimin e veçantë të Kosovës, në krahasim me fqinjët e saj, kur bëhet fjalë për procesin e liberalizimit të vizave. Teksa pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor morën një Udhërrëfyes më 2008, Kosova u desh të pres deri më 2012 për të marrë të njëjtin. Përderisa vendeve të rajonit iu mundësua udhëtim pa viza në zonën Shengen më 2009 dhe 2010, qytetarët e Kosovës ende po presin për të njëjtën mundësi. Përderisa vendeve të rajonit iu dhanë udhërrëfyes me më pak se 50 kërkesa, udhërrëfyesi për Kosovën përfshinte 95 kërkesa! Për më tepër, kriteret për Kosovën përfshinin disa fusha që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me politikën për vizat, dhe nuk u janë kërkuar asnjë vendi tjetër të rajonit dhe më gjerë.

Kosova ka mbërritur tani në fundin e udhërrëfyesit. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret teknike që janë përfshirë në udhërrëfyes. Në majin e këtij viti, Komisioni Evropian përfundimisht i rekomandoi Këshillit dhe Parlamentit Evropian që të heqin kushtin për viza për kosovarët. Rekomandimi prezantoi të gjitha arritjet që Kosova ka bërë në përmbushjen e kërkesave teknike. Komisioni ka përmendur dy prej 95 kërkesave në udhërrëfyes, për të cilat duhet të bëhet më shumë. Këto dy fusha përfshijnë ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të përmirësojë regjistrin e të dhënave për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Institucionet e Kosovës nuk kanë kursyer aspak energji për të shënuar përparim në këto dy fusha. E dyta është në duart e institucioneve të pavarura gjyqësore, një sektor në të cilin BE ende ushtron kompetenca të fuqishme ekzekutive. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të rritur koordinimin dhe pavarësinë e këtyre institucioneve. Çfarëdo intervenimi tjetër do të shkelte marrëdhënien e pavarur ndërmjet këtyre dy degëve të pushtetit.

Udhërrëfyesi po ashtu i kërkon Kosovës të “përpiqet të realizojë shënimin e kufirit me Malin e Zi”. Duhet të jetë e qartë edhe për vështruesit më të largët se ka pasur përpjekje të fuqishme nga ana e qeverisë për të kryer këtë proces. Marrëveshja është nënshkruar dhe është aprovuar nga Qeveria. Megjithatë, ratifikimi i marrëveshjes po përballet me kundërshtim të fuqishëm politik. Nuk është e sigurt nëse kjo çështje mund të kryhet me kohë; sidoqoftë, çështja tani është nëse liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët e një vendi duhet të mbahet peng nga kjo çështje (përderisa qytetarët e vendeve të tjera që ndajnë kufirin me Kosovën tashmë po shijojnë udhëtimin pa viza që një kohë). Nëse demarkacioni i kufijve ka shumë rëndësi, atëherë pse ai nuk i është kërkuar asnjëherë ndonjërit prej vendeve të tjera në rajon? Sidoqoftë, unë jam i sigurt se demarkacioni me Malin e Zi do të përfundojë, por presioni që ta bëjmë këtë brenda afateve jorealiste më shumë do të bëjë dëm, sesa do të ndihmojë.

E mbetur prapa në vetë rajonin e saj, Kosova tani ndodhet në grupin e vendeve të izoluara nga Evropa, pa perspektivë të qartë të integrimit. Linja zyrtare është që secili vend vlerësohet sipas meritave të veta në përmbushjen e kritereve specifike që i janë parashtruar. Megjithatë, realiteti është se progresi i Kosovës po mbahet peng nga mungesa e unitetit dhe e vullnetit politik brenda BE’së.

Duke marrë parasysh përpjekjet e jashtëzakonshme vitin e kaluar, në një kohë kur disa zëra opozitarë kanë zgjedhur mënyra të dhunshme për të dëmtuar punën tonë, Kosova ka nevojë që BE’ja të rritë angazhimin e saj dhe të mundësojë atë që ne kemi arritur me meritë. Shtetet anëtare të BE’së duhet të heqin Kosovën nga lista e zezë e Shengenit dhe t’i lejojë qytetarët e Kosovës të vizitojnë miqtë dhe familjet e tyre në Evropë pa iu nënshtruar procesit të kushtueshëm dhe të gjatë të aplikimit për viza. Kjo do të ishte e mirë për të dy palët, pasi që është mënyra më e mirë për të siguruar angazhim të qëndrueshëm për reformat e vazhdueshme në Kosovë dhe për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm nga BE’ja.

Ne i kërkojmë BE’së të mos i lëvizë shtyllat e portave përsëri për Kosovën. Ne i kërkojmë atyre ta shohin Ballkanin Perëndimor si një rajon, me një perspektivë të qartë të integrimit, ku të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ne i kërkojmë BE’së të vlerësojë përpjekjet reformuese të Kosovës në mënyrë të drejtë, pa paragjykime politike. Ne i kërkojmë BE’së të hapë krahët e saj për qytetarët tanë; populli më i vendosur për të marrë këtë përqafim në rajon.

Procesi i liberalizimit të vizave ka qenë i mirë për Kosovën; ai është një shembull i shkëlqyeshëm i aplikimit të fuqisë së butë për nxitjen e reformave. Megjithatë, shtyrja e shpërblimit kur ai është arritur me meritë ka efektin e kundërt. Ajo rrezikon të dëmtojë të arriturat apo edhe më keq. Çfarëdo vonese në heqjen e Kosovës nga lista e zezë e dëmton situatën unike të Kosovës. Kjo do të nënkuptonte një zhvendosje nga karota drejt shkopit. Do të nënkuptonte përdorimin e fuqisë së butë të izolimit për të detyruar reformat. Problemi është se izolimi nuk është i butë. BE’ja është më e mirë se kaq.