Presidenti Thaçi për Kishën: Na nuk guxojmë me imitue Milosevic’in që ka rrënue mbi 400 Xhami

thaci-roll

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritë në takim komandantin e parë të KFOR’it në Kosovë, gjeneralin Sir Michael David Jackson, të cilin e ka dekorue me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë. Gjatë takimit Thaçi ka folë edhe për çashtjen e debatueme të Kishës ortodokse që ndodhet në ambientet e Universitetit të Prishtinës.

“Dëshiroj të theksoj atë çka unë e mendoj si President i vendit. Na në asnji rrethanë nuk duhet të lejojmë që të kopjojmë formën, metodat dhe stilin e Milosevicit. Në asnji rrethanë na nuk duhet të lejojmë që nëse Milosevici ka rrënue mbi 400 xhami, ka damtue objekte të ndryshme të kishave katolike anë e kend Kosovës, të teqeve të ndryshme. Na njohim kushtet, rrethanat e disfavorshme të Kosovës kur ka fillue ndërtimi i këtij objekti në kampusin universitar”, ka deklarue Presidenti Thaçi.

Ma tej ai theksoi se, “Edhe unë kam protestue dhe luftue kundër regjimit të Milosevicit dhe punës së tij apo veprimet e tij që i ka ba në Kosovë”.

“Tash jemi në nji rrethanë tjetër, jemi në Kosovën e lirë dhe të pamvarun. Jemi në nji situatë që duhet të komunikojmë me njani-tjetrin, të bashkëbisedojmë me njani-tjetrin dhe ky problem të zgjidhet përmes dialogut dhe përmes rrugëve institucionale dhe legale”, tha Thaçi, tue shtuar se, ” Na nuk mund të dërgojmë dhe nuk guxojmë të dërgojmë mesazhe që njerëzit e Kosovës mund të lëvizin drejt Europës tue rrënue xhamia e kisha”, asht shprehë Thaçi.