Presidentja: Festat, si kjo e Pashkëve kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe solidaritetit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi nji mesazh urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe tanë besimtarëve katolikë, me rastin e festës së Pashkëve.

Te urue paqe, shnetë e harmoni, Presidentja tha se festat si kjo e Pashkëve kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe solidaritetit me gjithë ata që kane nevojë për mbështetje dhe përkujdesje institucionale.

 

Urimi i plotë i Presidentes Jahjaga:

I nderuari Ipeshkëv Gjergji,
Me rastin e Festës së Pashkëve, më lejoni që në emrin tim personal por edhe në emër të Institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë besimtarëve t’iu urojë që këtë festë të ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti ta kremtoni në paqe, shëndet e harmoni.
Festat si kjo e Pashkëve, kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe për përkujdesjen institucionale. Andaj, në frymën e respektit të ndërsjelle dhe të tolerancës së bashku të punojmë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të lutemi për paqe, siguri dhe begati për gjithë njerëzimin.
Urimet e përzemërta dua t’ua përcjelli edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë Pashkët në vendin tonë.
I nderuari Ipeshkëv Gjergji, ju uroj edhe një herë që Ju dhe të gjithë besimtarët, këtë feste ta kaloni në paqe, gëzim, begati dhe mirëqenie shpirtërore.