Presidentja: Kosova nuk ka me i hapë kufijtë për refugjatët sirianë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po merr pjesë në nji forum të Këshillit Amerikan të Atlantikut në Washtington DC, ku po flet për Menaxhimin e Sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perendimor, transmeton Rrokum TV.
Në fjalën e hyrjes në këtë forum, të nisun në orën 21:00, ajo e mbajti nji fjalim të fuqishëm tue theksue se e ardhmja e Kosovës asht e paqartë nëse vendi nuk bahet pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO’s.
Ajo përsëriti se Kosova asht vendi i vetëm në rajon, i cili nuk mundet me udhëtue pa viza.
“Kosova asht pjesë e Europës, prandaj duhet të trajtohet si e tillë nga Bashkimi Europian” tha ndër të tjera Jahjaga.
Jahjaga shprehu ngushëllime për viktimat e sulmit terrorist në Bruksel, raporton Rrokum TV, tue shtue se terrorizmi asht nji kërcënim edhe për Kosovën, e cila edhe pse vend i vogël po rrezikohet nga terrorizmi.
Sa i takon transformimit të FSK’s në Ushtri të Kosovës, Jahjaga tha se kjo asht vetëm çashtje ligjesh që duhen votue në Kuvend, por për këtë duhet vota e deputetëve të Listës Serbe, transmeton Rrokum TV.
Presidentja e ftoi Listën Serbë që me u çlirue nga e kaluemja dhe me votue për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Tue folë për Serbinë, Presidentja theksoi se nëse Serbia anëtarësohet në Bashkimin Europian, ajo ka me pengue Kosovën në këtë rrugëtim tue ba që dekada të tana pune për zhvillimin e vendit me shkue dam.
Presidentja tha se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendeve anëtare të NATO’s po e lë vendin mbrapa dhe se kjo duhet me ndodh sa ma shpejtë.

Presidentja foli edhe për krizën e refugjatëve. Ajo tha se mundet me ndodhë që Kosova me u ba destinacioni i refugjatëve siriane, por se vendi  nuk ka me i hapë kufitë, jo për shkak që nuk don me e ba këtë, por sepse nuk ka kapacitet për me përballue refugjatët. Jahjaga shtoi se qytetarët kosovarë tue i pasë ende të freskëta kujtimet e luftes dhe kohën kur ata vetë ishin refugjatë, soledarizohen me popullin sirian.