Presidentja injoroi Prizrenin, Mitrovicën e Gjakovën

Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga, ka nisë rreth 2 muej ma parë turin e vizitave nëpër qytetet e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e 3 odave ma t’mdhaja ekonomike n’vend, atë të Kosovës, Amerikës dhe Gjermanisë.

Këtë tur të vizitave Atifete Jahjaga e nisi saktësisht me 12 Kallnor të këtij viti, ku vizitoi Rrafshin e Dugagjinit. Televizioni Rrokum e ndoqi nga afër këtë vizitë, e në pyetjen e gazetarës sonë se a ka me vizitue Komunen e Mitrovicës së Veriut, Presidentja u përgjigj se ka me i vizitue t’gjitha komunat nji nga nji.

Zyrtari për me media i Komunën e Prizrenit Ymer Berisha, në nji përgjigjje elektronike deklaroi se Prizreni nuk e di arsyen e mosardhjes së Presidentes. Berisha madje thotë se as nuk kanë pasë ndonji kërkesë për përgaditje të mundshme për mikpritjen e Presidentes. Mirëpo Komuna e Prizrenit nuk ndihet e diskriminueme për këtë fakt, për shkak se simbas Berishës, Presidentja e ka vizitue herave të tjera këtë Komunë. Ai përjashton mundësinë se kjo ka ndodhë për shkak se Kryetari, Ramadan Muja asht në nji proces gjyqësor.

Ndërsa në nji prononcim për Televizionin Rrokum, i pari i Mitrovicës Agim Bahtiri edhe pse thotë se e di arsyen e mos shkuemjes së Presidentës në qytetin e minatorëve, nuk preferon me kallxue, sepse siç tha ai, “Nuk po flasim, mbasi asht në fund të mandatit”.

Ndoshta këtë vendim Presidentja e ka marrë për shkak se nëse kishte me shkue në Mitrovicën e Jugut, atëherë ishte dasht me vizitue edhe atë të veriut. E nji vizitë të tillë, Jahjaga e kishte ba në vitin 2013, ku u takue me Adrijana Hodzic, shefën e Zyrës Administrative të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

Në anën tjetër, komuna e vetme që në krye të saj ka nji grue, ajo e Gjakovës, thotë se e di arsyen se pse Presidentja nuk e ka vizitue këtë komunë. Këshilltari i kryetares Mimoza Kusari-Lila, Ali Tafarshiku thotë se Komunës së Gjakovës iu asht deponue kërkesa nga Presidentja, mirëpo në ato kohë, Kryetarja Kusari Lila ishte në vizitë jasht vendit.

Mirëpo Televizioni Rrokum ka kërkue sqarime edhe nga zyra e Presidentës. Edhe pse na ua parashtruem nji mori pyetjesh, ata u mjaftuen me vetem nji fjali të shkurtë.

I nderuar, Presidentja ka me i vazhdue vizitat napër komuna

Mirëpo, t’gjithë e dijmë se Presidentës Jahjaga i kane mbetë edhe rreth 3 javë në krye të institucionin ma t’naltë shtetnorë, e se kur ka me e ba këtë ende nuk dihet. Edhe tue i pas parasysh praktikat e vizitave t’kalueme, ajo lehtësisht mundet me i përfundue këto vizita për 2 ditë. Mirëpo Presidentës në largim këtë qasje ka fillue me ia vjedhë edhe Presidenti i zgjedhun, Hashim Thaçi ka fillue me vizita të tilla ende pa e marrë zyrtarisht mandantin.