Presidentja: Kosova i la vetëm viktimat e dhunës seksuale të Serbisë

Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Maltë, Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga adresoi Forumin “Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej” të organizuem nga Fondacioni për Mirëqenie të Shoqnisë i Presidentes së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca.
Me këtë rast Presidentja e Kosovës, ngriti çashtjen e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës dhe mbas saj.
Simbas Jahjagës, dhuna seksuale ishte përdor si mjet i luftës në Kosovë ndaj mija grave dhe burrave me qëllim që të instalohet mbi qytetarët e pafajshëm frika dhe shtypja, pastrimi etnik, nënqmimi i burrave si dhe të zhvishet nji shoqni e tanë nga vlerat e saj njerëzore.
“Afër njëzet mijë qytetarë të pafajshëm mbajnë në vete plagët e veprave të tmerrshme të dhunës seksuale të kryeme nga forcat serbe, të cilat i shëndrruan trupat e tyne në fushëbeteja për përfitime politike”- tha presidentja.
Presidentja ma tej në fjalimin e saj, videon e së cilës e ka sigurue Televizioni Rrokum, tha se të gjithë personat e dhunuem u harruen dhe u lanë vetë me kalu ndjenjën e turpit dhe izolimit.
“Dhe përderisa na lëvizëm përpara për me rindërtue të ardhmen tonë nga gërmadhat e shkatërrimit dhe vuejtjes së pamasë njerëzore, tue u mundue ma shumë sfida të ndërtimit të nji vendi paqësor, stabil dhe të sigurt, na i lamë viktimat e këtij krimi të tmerrshëm që vetë me e luftue turpin, izolimin dhe përjashtimin shoqnor pa mbështetje të duhun institucionale dhe shoqnore”- theksoi ajo.
E para e vendit, tha se nuk janë vetëm viktimat ato të cilat e paguajnë çmimin e padrejtësive të shkaktueme mbi to nga ky mjet lufte por asht mbarë shoqëria e cila vuan poashtu.

Nga ana tjetër Presidentja malteze tha se dhuna seksuale asht nji pengesë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe nji kërcënim thelbësor për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Simbas agjencisë së OKB’s, gjatë luftës vlerësohet se janë përdhunue deri në 60 mijë persona në Sierra Leone, ma shumë se 40 mijë në Liberi, dhe rreth 60 mijë në ish-Jugosllavi.
Së bashku me Presidenten e Kosovës, në Maltë po qëndron edhe Ministrja për Tregti dhe Industri Hykmete Bajrami dhe Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.
Me këtë rast, dy odat ekonomike nënshkruen nji Memorandum Bashkëpumimi.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje asht hapi i parë i zhvillimit të marrëdhanieve mes të të dyja vendeve në fushën e ekonomisë.
Ky memorandum ka me u mundësue bizniseve të Kosovës dhe Maltës që me shtue aktivitetet afariste dhe me i zgjanue tregjet e tyne.
Me 25 Fror, Presidentja e Maltës Marie Louise Coleiro Preca premtoi gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovë se ka me ngritë shumë shpejt në vendin e saj bustin e humanistes shqiptare Nanë Tereza, gja e cila u ba realitet gjatë kësaj vizite të Jahjagës në Maltë.