Presidentja, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit në Prekaz

Mbasi që dje ishin të angazhuem me Epopenë e UCK’s, në Kazermën Adem Jashari në Prishtinë, sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga bashkë me disa krenë të tjerë shtetnor iu drejtuen Prekazit.

Fillimisht Jahjaga bani homazhe në kompleksin Memorial ”Adem Jashari”, si dhe vizitoi nji ekspozitë fotografish dhe muzeun që asht i hapun në kuadër të kompleksit. Ma mbas Presidentja vizitoi familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari Rifat Jashari.

Mbas vizitës, Presidentja tha “Sot pata nderin që me vizitue familjen Jashari, në këtë ditë plot dhimbje për ta por edhe për të gjithë Kosovën, në këtë 18-vjetor të ranies heroike të 53 pjesëtarëve të kësaj familjeje dhe të kësaj lagjeje”.

Ma tej Jahjaga thotë se trupat e pajetë na kujtojnë borxhin që ua kemi, për pamvarësinë tonë, që me ndërtue nji Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, nji Kosovë me perspektivë të qartë euroatlantike.

Pjesë e Homazheve ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

I shoqëruem nga ministra të kabinetit Qeveritar, kryeministri Mustafa ka përkujtue trimëninë dhe sakrificën ma të madhe që nji familje shqiptare ka dhanë për pamvarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Unë mendoj se kjo vepër e Familjes Jashari, e trimave që ranë këtu dhe u sakrifikuen këtu, ka me qenë pjesë e veçantë e historisë së Kosovës, e cila ka me përshkrue viktimizimin dhe sakrificën ma të madhe të nji familje, të shqiptarëve që dhanë për lirinë e këtij vendi”, tha kryeministri Mustafa.

Ndryshe nga Presidentja, Kryeministri Mustafa nuk shkoi për vizitë të familja e Jasharëve.

Gjithashtu, për vizitë në Prekaz në 18 vjetorin e ranëve të familjes Jashari, ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Simbas veselit, Prekazi asht vend i cili duhet me pas ma shumë vëmendje se cdo gja tjetër.

“Nëse ka vend ku kombi ynë çdo ditë duhet me mendue se çka duhet me ba ma shumë për vendin, asht Prekazi dhe Familja Jashari. Prekazi asht vendi ku duhet me mësue se si punohet për vendin. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, Lavdi Familjes Jashari!”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Mbas homazheve, kryetari Veseli vizitoi edhe familjen Jashari, me ç’rast u prit nga Rifat Jashari dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje.