Presidentja: Une kam me vazhdue me mbetë e dedikueme për garantim të trajtimit të barabartë të burrave dhe grave

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka marrë pjesë sot në nji konferencë të organizueme nga Oda Ekonomike me temën “Gratë me ndikim”.

 

Në këtë konferencë, e para e vendit ka thanë se sigurimi i të drejtave të barabarta të grave dhe burrave ma s’asht vetëm imperativ moral, për ma shumë – asht fakt i njoftun, i cili na mundëson zhvillim, por edhe nji paqe të qëndrueshme.

 

Nëpërmes fuqizimit të grave – familjet dhe shoqëritë fuqizohen në tërësi, sepse një shans i ofruar gruas është një shans i ofruar mbarë shoqërisë. Duke e bërë këtë, ne njohim faktin se gratë ushtrojnë role të fuqishëm në shoqëri dhe roli i tyre është sikurse roli i agjentëve të ndryshimit. Kur përfshihen në frontet politike, ekonomike dhe sociale, ato shpalosin talentin dhe potencialin e tyre në drejtim të përparimit jo vetëm të familjes dhe shoqërisë, por edhe të shtetit në tërësi”, tha Presidentja.

 

Jahjaga ma tej theksoi se në shoqninë tonë gratë kanë pasë ndikim në shumë mënyra.

 

Ato kishin fuqinë për ta mbrojtur strukturën e shoqërisë sonë në kohëra lufte si dhe në kohëra paqeje. Ato kanë udhëhequr angazhimet për liri, për arsimim dhe për qasje në shëndetësi, shpesh edhe duke u përballur me barriera dhe padrejtësi të shumta që janë prezantuar dhe ato janë ballafaquar. Në të gjitha pozitat në të cilat unë kam shërbyer deri më tani, kam qenë dëshmitare e ndryshimeve të rëndësishme, të cilat i ka sjellë pjesëmarrja e grave, edhe në fushat të cilat tradicionalisht kanë qenë të rezervuara për meshkuj.
Sot, vetëm një në gjashtë zyrtarë të lartë, menaxherë dhe legjislatorë, është grua, dhe nga 21 ministra, vetëm dy prej tyre janë gra. Gratë akoma paguhen më pak se burrat për punë të njëjtë të cilat ato i bëjnë. Ato kanë akoma qasje më të ulët në burime ekonomike dhe financiare, si dhe në të drejtën trashëgimore. Ky përfaqësim dhe pjesëmarrje jo e barabartë nuk është unike vetëm në Kosovë, por është pjesë e një lufte në nivel global për barazi gjinore dhe përgjegjësi të barabartë për zhvillimin e të cilës kanë edhe burrat sikurse grate.
Unë do të vazhdoj të mbetem e dedikuar për garantim të trajtimit të barabartë të burrave dhe grave, qasjes së tyre të barabartë në mundësitë jetësore si dhe njohjes së barabartë të potencialit dhe mundësive të tyre.
Gratë dhe burrat – me përvojat dhe rolet e tyre të ndryshme – duhet të mbesin unik dhe të vazhdojnë të angazhohen bazuar në progresin e arritur deri më tani dhe të punojnë drejtë përparimit të agjendës së barazisë gjinore dhe trasimit të rrugës për një botë më përfshirëse dhe me të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme”, tha mes tjerash Jahjaga.

 

Ajo takimin e saj e përmbylli me nji thanie që qysh e quen ajo, mikes së saj ish-sekretares së SHBA’ve zonjës Hillary Clinton, e cila thotë: “Bota po ndryshon nën kambët tona dhe asht koha e fundit me përfaqësue çasjen e shekullit 21 për me i avancue të drejtat dhe mundësitë për gratë dhe vajzat në vend, por edhe në gjithë mbarë botën”