Problemet e mbrendshme t’Europës pengojnë liberalizimin

Problemet përmbrenda Bashkimit Europian janë ba shkak që integrimi i Ballkanit Perendimor, tue përfshi edhe Kosovën, të rangohet si dytësor në Bruksel. Analistët vlerësojnë se proceset integruese janë stopue, ndërsa Ministria e Integrimit Europian e pranon se procesi i liberalizimit po damtohet shumë nga refleksionet e mbrendshme në BE.

Sfida me numrin e madh të refugjatëve dhe friga nga terrorizimi kanë trazue jo pak Bashkimin Europian. Ndërsa, referendumi i Britanisë për t’u largue nga BE’ja i ka dridhë themelet e këtij institucioni, i cili llogaritet ekonomia ma e madhe në botë. Euroskepticizmi asht në rritje e sipër, ndërsa tash janë edhe zyrtarë të randësishëm, të cilët pranojnë se ky institucion edhe mund të shpërbahet.

“Po, Bashkimi Europian mund të dështojë. Nëse na nuk jemi të kujdesshëm, BE’ja mund të shpërbahet”, ka thanë së fundi presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, në nji intervistë për “Allgemeine Zeitung”. E, simbas Ministrisë së Integrimit Europian të Kosovës, pasojat pritet t’i ndjejë edhe Kosova në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, përkatësisht për fazën finale, ku vendimi asht politik.

Në anën tjetër, njohësit e marrëdhanieve ndërkombëtare thonë se këto probleme janë shfaqë në nji periudhë shumë të keqe për Kosovën, mbasi që BE’ja aktualisht ka ndalue procesin e zgjanimit.