Prokuroria: Azem Syla në krye të grupit kriminal, e kërkojmë tash 10 ditë!

Prokuroria e Shtetit, e ka konfirmue përmes nji deklarate zyrtare, se deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, asht në krye të grupit kriminal, ndaj të cilit u zhvillue aksioni i sotëm i konsideruem si ma i madhi në vend kundër krimit të organizuem.

Në komunikatën e Prokurorisë Speciale thuhet se hetimi ka të bajë me nji grup të madh të organizuem kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbamë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, e i kryesuem nga Azem Syla.

Mirëpo vetë Azem Syla, përmes adresës zyrtare të PDK, plot 10 ditë ma parë, me 17 Prill 2016, kishte shpërnda nji deklaratë ku mohonte se asht në listën e uzurpatorëve.

Madje, deputeti i PDK pretendon se në listat e uzurpatorëve të publikueme nga ATK, asht nji tjetër person me emnin e tij.

Pas të gjitha verifikimeve të bëra është vërtetuar që personi me emrin dhe mbiemrin Azem Syla, është një person krejt tjetër me vendbanim, vendlindje dhe numër personal tjetër dhe absolutisht ai person nuk ka të bejë me mua ashtu siç është proklamuar në disa media“, thuhej në e-mail.

“Anëtarët e këtij grupi të organizuem kriminal kanë bashkëpunue, secili me nji rol të veçantë, për me privue Kosovën nga pronat shoqnore në nji vlerë prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshi falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhanien e ryshfetit për zyrtarët publikë”, – thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit, ku theksohet se nji pjesë e parcelave të përfshime janë sekuestrue përkohësisht me urdhën të prokurorit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ma tej, në deklaratën e Prokurorisë thuhet se “Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, asht në arrati. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë 10 ditëve të fundit për me përcaktue vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk asht gjetë dhe i ka ikë administratës.”

Mirëpo veç dy ditë ma parë Azem Syla kishte marrë pjesë në përurimin e nji shkolle në Drenas. Për këtë ishte përkujdes vet kreu i Kuvendit, Kadri Veseli i cili kishte publikue në profilin e tij në Facebook disa fotografi nga Komorani i Drenasit ku vërehet edhe Azem Syla në anën e majtë të tij. I pranishëm aty ishte edhe shefi i Qeverisë, Isa Mustafa.
Ndërkaq, në aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX, që në orët e para të mëngjesit, janë bastisë shtëpia e Azem Sylës në Kishnarekë të Drenasit. E në kërkim të Sylës e mbi 40 personave të tjerë ishin angazhue ma shumë se 350 policë t’cilën kanë bastisë rreth 40 lokacione.

Prej të arrestueme të sotëm asht edhe ish-Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka. Televizioni Rrokum ka kapë momentin e bastisjes së zyrës dhe momentin e arrestimit të tij.
Përveç Ukës, EULEX ka arrestue edhe 6 persona të tjerë, përfshi shoferin e Azem Sylës dhe ish-drejtorin e Ndëmarrjes Banesore në Prishtinë Sabedin Haxhiu. Të arrestuemit janë dërgue në Pallatin e Drejtësisë ku kanë dalë para gjykatës për vendosjen e masës së sigurisë.

Aksionin e sotëm e ka mbështetë edhe Presidenti i Republikës Hashim Thaçi.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuem asht çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i së ardhmes sonë europiane”, shkruejti Presidenti.

Ma tej, ai i ka ba thirrje indirekte edhe të kërkuemit kryesor nga Policia, njiherit ish-partiakut të tij, Azem Syla, për me u dorëzue, kur ka shkrue – Pres nga të gjithë ata që janë të përfshimë në rastet gjyqësore që me i ofrue bashkëpunim të plotë Policisë dhe Prokurorisë.
Mbështetje për Policinë e Prokurorinë ka dhanë edhe Kreu i Kuvendit Veseli, i cili tha se jemi përcaktue për shtet ligjorë, mirëpo ka kërkue që me pritë epilogun e Prokurorisë.
E reagimeve të shumta iu asht bashkangjitë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tue përmend të arrestuemin Sabedin Haxhiu, thotë se dita ditës po bahet ma e qartë pse nuk duhet lejue kthimin e ndërmarrjeve publike komunale në duert e krimit.