Prokuroria: Po hetohet grup i madh kriminal. Azem Syla asht n’arrati

azemsylaaaa

Operacionin e policisë i cili ka fillue prej oreve të para të mengjesit në 42 lokacione që lidhet me nji grup të dyshuem ku në krye të tij asht Azem Syla e ka konfirmue edhe Prokuroria e Shtetit.

Ky operacion i cili asht krye në bashkëpunim të Policisë së EULEX’it dhe Policisë së Kosovës, simbas Prokurorisë ka rezultue me 6 persona t’arrestuem.

Derisa për udhëheqësin e këtij grupi i cili asht deputeti Azem Syla, thuhej se ai ka 10 ditë që asht n’arrati dhe se policia asht tue kerkue me ngulm vendodhjen e tij.

Ky asht njoftimi i plotë i Prokurorisë së Shtetit:

Sot, me 27 prill 2016, u krye një operacion kërkimi dhe arrestimi ne kuadër të një hetimi penal, në vijim e sipër të PSRK-së, duke e zbatuar urdhrin e një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të lëshuar më 26 prill2016.

Operacioni është kryer në bashkëpunim në mes të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë (6) persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe dhe nga Serbia , i kryesuar nga Azem Syla.

 
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal.

Një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016. Në radhë të parë, ky proces ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik.

Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie dhe marrje e ryshfetit.

Disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi. Gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krimi të Organizuar në Beograd.

Urdhërat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që këta të pandehur janë arratisur ose janë jashtë vendit.

Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati në këtë moment. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur dhe i ka ikur administratës.