Prokuroria ngrit aktakuzë kundër mjekëve për vdekjen e Arbenita Spahiut!

spitaligjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngrit aktakuzë kundër tre të pandehunve M. Sh., H. Z. dhe V. K., për shkak se kanë krye veprën penale trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor si dhe mosdhania e ndihmës mjekësore.
Simbas aktakuzës të pandehunat M. Sh dhe H. Z., me datë 3 Mars 2016 në cilësinë e personave zyrtarë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e sallës së lindjes, me rastin e trajtimit të pacientes, tash të ndjemës A. S., gjatë dhanies së ndihmës mjekësore të lindjes, nga pakujdesia kanë përdor mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes tue i caktue marrjen e barnave të cilat nuk kanë qenë mjete adekuate për të.

Për shkak të mostrajtimit të duhun dhe veprimeve të cilat mjekët asht dashtë me i ndërmarr me kohë, ka ardh deri te vdekja e pacientes, me çka kanë kry veprën penale, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260 paragrafi 4 lidhun me paragrafin 1 të KPRK’s.

Po ashtu, n’aktakuzë thuhet se e pandehuna V. K., me datë 2 Mars 2016, si mjeke kujdestare, në kundërshtim me detyrat e saj, ka refuzue dhe nuk i ka ofrue ndihmën mjekësore pacientes, tash të ndjemës A.S, para aktit të lindjes edhe pse ka qenë e vetëdijshme se mosveprimi i tillë mundet me rezultue me pasoja për shëndetin e pacientes dhe bebes së saj, si dhe ka refuzue dhanien e ndihmës mjekësore tue thanë me njoftue mjekun tjetër kujdestar, me çka ka krye veprën penale, mosdhania e ndihmës mjekësore nga neni 261 paragrafi 3 lidhun me paragrafin 1 të KPRK’s.