Pronari i Kullave Binjake i kërkon 11 milionë euro Shqipnisë

6 vjet mbasi emni i tij u hoq nga lista e zezë e financuesve të terrorizmit, sheiku saudit Yassin el Qadi ka paditë Qeverinë e Shqipnisë, tue i kërkue jo pak, por plot 1 miliardë e 527 milionë e 330 mijë lekë të reja, ose rreth 11 milionë euro.

Yassin el Qadi asht pronar i dy kullave binjake, 18-katëshe, të ngrituna prej vitesh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, biznise të cilat janë sekuestrue nga shteti shqiptar në vitin 2006, mbas kërkesës së Ambasadës Amerikane, sepse biznismeni saudit ishte futë në listën e zezë të financuesve të terrorizmit që me 17 Shtator 2001.

Mirëpo, në vitin 2010, gjykata e New York’ut e kishte pezullue çashtjen ndaj tij, edhe pse nji vit ma herët, nji gjykatë në Shqipni e denoi me 4 vjet burg administratorin e pronave të tij në Shqipni.

Sheiku saudit e ka paraqitë padinë e tij në Gjykatën Administrative të Tiranës, tu’ kërkue damshpërblim për veprimet e Ministrisë së Financave dhe të Agjencisë së Administrimit të Pasunive të Sekuestrueme dhe të Konfiskueme.

Padia asht regjistrue në gjykatë, me emnin e kompanisë “Loxhall”, ku pronar asht Yassin el Qadi, e administrator nji shtetas jordanez.