Protesta anulon opozitën e bashkueme

Edhe pse me javë e muej e proklamuen protestën e 26 Marsit, partitë opozitare e anulen atë vetëm nji ditë para.

Këtë ma s’pari e deklaroi lideri i AAK’s, Ramush Haradinaj, i cili pak ma parë kishte paralajmërue nji konferencë të jashtëzakonshëm vetëm, mbas anulimit të konferencës së përbashkët të orës 14:00, por megjithatë ai doli me dy liderët e tjerë opozitarë.

Haradinaj tha se arsyeja e anulimi janë temat e ndjeshme politike në vendin tonë.

I vetmi argument i tij ishte puna e Komisionit të Ekspertëve Ndërkombëtar për Demarkacion.

 

Mirëpo lideri i AAK’s duket se e ka harrue që Presidentja e Republikës e ka dekretue Komisionin për Demarkacion qysh me 15 Mars, 10 ditë ma herët para arsyetimit të sotëm, e opozita ka pasë mundësi që në secilën prej këtyne 10 ditëve me njoftue anulimin e kësaj proteste.

Mbas tij, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se shumë shpejt opozita ka me majtë protestën e radhës, për të cilën as ai nuk ka datë.

 

E pazakonta erdhi nga kryetari i VV’s, Visar Ymeri i cili edhe pse ishte prezent por refuzoi me thanë nji fjalë të vetme.

E nga burimet e Televizionit Rrokum, mësohet se Vetëvendosja nuk ka qenë dakord për anulimin e protestës, e kjo ishte edhe arsyeja e refuzimit të Visar Ymerit për me folë në konferencën e sotme.