Qe çka ndodhi në përplasjen Lladrovci-Drenori

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka akuzue bashkëvendasin e tij, anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhavit Drenorin, se ka vjedhë vota në zgjedhjet e 11 Qershorit. Simbas Drenorit, në mbledhjen e fundit komunale ka pasë nji përplasje mes tij dhe Lladrovcit, meqë ky i fundit ka refuzue të përgjigjet në pyetjet që Drenori ia kishte drejtue atij.

Në nji prononcim për “Indeksonline”, Drenori ka sqarue përplasjen me Lladrovcin, tue thanë se ai ka përdorë fjalë dhe ka ba gjeste që nuk i kanë hije nji udhëheqësi komunal. Simbas Drenorit, Lladrovci e ka fye tue ia tregue gishtin e mesëm.

Ndërkohë, ai ka sqarue se “nervozizmi” i Lladrovcit ka ardhë kur Drenori i ka kërkue përgjigje për përfshimjen e bashkëshortes së tij në çashtje politike, e cila kishte shtrue iftarë dhe kishte paraqitë kandidatët e PDK nëpër banorët e katundeve të Drenasit.

“Në mbledhjen e fundit unë i preka vetëm tri çashtje dhe i kërkova përgjigje. Ai filloi me përdorë fjalë që nji kryetar komune nuk asht m`i përdorë, si fjalën rrenc, fjalën idiot, mandej veprime me gisht të mesëm që nuk i ka hije as nji njeri normal. Unë iu kundërpërgjigja dhe i kërkova përgjigje se ku merr të holla bashkëshortja e tij që të gjitha gratë e katundit tim të lindjes t`i thrrë për iftar, ajo asht e papunë dhe po përzihet në çashtje politike. Ku mandej në cilën bazë, bashkëshortja e tij vjen prezenton persona nga PDK’ja. Ajo vjen në katundin tim dhe flet keq për mue, tue u përzi në politikë, totalisht e papranueshme. Të gjitha këto ia përplasa zotit Lladrovci”, ka deklarue Drenori.

Lidhun me akuzat e Lladrovcit, Drenori, ka thanë se ato nuk qëndrojnë dhe se asht pikërisht Lladrovci ai që asht përfolë për vjedhje të votave nëpër oda në kohën e zgjedhjeve për Drenasin.