Qe çka thotë ky imam i Brukselit për fenë islame!

Hocine Benabderrahmane asht nji imam i njoftun reformist që jeton në Bruksel, e që ndihet i mundun.

Historiani me origjinë algjeriane mendon se salefistët e kanë fitue betejën.

Nëse islami nuk reformohet, ka me na u dashtë me dekonstruktue me argument teologjik fjalimet ekstremiste, – thotë ai.

Benabderrahmane, i cili drejton nji qendër të mendimit islam dhe jep ligjërata për të ritë në të gjitha xhamitë e Belgjikës, thotë se përditë sheh të ri të radikalizuem që besojnë veç në nji version të islamit.
I pyetun pse shumë të ri n’Europë besojnë verbërisht te shtrembnimi i islamit që propagandon shteti islamik, ai thotë se islami n’Europë ka qenë i përfaqësuem kryesisht nga salefitë dhe vllaznia myslimane.

Imamët e këtushëm, të ardhun kryesisht nga Arabia Saudite janë të vendosun për me i izolue myslimanët nga pjesa tjetër e shoqnisë.

Ata kanë nxjerrë fatva se gjoja nëse nji grue ia jep dorën dikujt, apo edhe urimi “Gëzuar Krishtlindjet!” asht haram, – thotë ai.

Radikalizimi nis mbrenda familjes, miqtë ose përmes internetit, – shton ai, tue theksue se këta të ri janë të paditun dhe nuk e njohin islamin.

U them të rive se duhen me u integrue e me jetu këtu. Duhet me u sjellë simbas ligjeve që janë këtu.
Deri para mesit të viteve 2000, radikalistët vinin nga Algjeria e Maroku, por tash po radikalizohen të lindunit këtu, – konstaton ai.

I pyetun se si mundet me u ndalue kjo gja, historiani thotë se për këtë duhen dekonstruktue idetë radikale me argument teologjike.

Duhet me e rrxue idenë e xhihadit e të martirizimit.

Familja e Bilal Hadfi’t, njanit prej kamikazëve të 13 Nandorit në Paris, erdhën me m’pyetë nëse djali i tyne ishte martir. U thashë mos me ba za, sepse ai ishte nji kriminel, – kujton ai.

Shumica e imamave n’Europë, simbas Benabderrahmane, nuk e njohin realitetin shoqnor, e kjo tregohet me fatvat e importueme nga vende mija kilometra larg, e sigurisht në nji realitet krejt tjetër.

Në këtë intervistë për median belge, imami u pyet se a e kanë humbë reformatorët luftën, e ai përgjigjet me trishtim.

Po, e kemi humbë. Sepse diskursi salefi e ka delegjitimue imamin e xhamisë. Na duhet me rivendosë besimin e të rive, por për ktë duhen imamë me nivel të naltë kulturor.

Benabderrahmane mendon se reforma e islamit asht e pashmangshme. Pa reforma ligjore, pa interpretim të teksteve, na kemi me vazhdue me folë me murin.

Na duhet me u integrue me pjesën tjetër të njerëzimit¸- thekson ai.

Imami i Brukselit e pranon se ekstremistët ushqehen me idenë e ndamjes mes myslimanëve dhe jomyslimanëve, sepse salefitë nuk ligjërojnë me kohezion social.

E për të ritë që i bashkohen luftës në Siri, Benabderrahmane thotë se kur populli sirian u ngrit kundër Asad’it, nuk bani thirrje për krijimin e Sheriatit islam.

ISIS nuk u ka shërbye popujve sirianë dhe irakianë, dhe i vetmi që ka përfitue nga ajo çka ndodhi në Paris e Bruksel ishte Bashar al-Asad.

Historiani që merret përditë me të ritë, e pranon se prindit kanë humbë kontrollin mbi femitë e tyne, sepse ka humbë edhe autoriteti prindëror, mbasi femitë që prej moshës 12-13 vjeçare bajnë çka të duen, pa pyetë për njeri.