Kush e uroi deri tash Hashim Thaçin

Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, njiherit kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës u zgjodh mbramë President i Republikës së Kosovës.

Edhe pse ai ka me u betue dhe me e marrë zyrtarisht detyrën si President me 7 Prill, Thaçin vazhdojnë me e urue ambasadorë, presidentë e zyrtarë të tjerë të naltë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka urue të parin e PDK’së për postin e ri, tue i ofrue bashkëpunim të plotë.

Urimet kanë ardhë edhe nga presidenti i Shqipnisë Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Pandeli Majko.

Nishani i ka urue sukses Thaçit në përmbushjen e detyrës së re dhe përballimin e sfidave, tue i sigurue bashkëpunim të ngushtë.

E kryeministri Rama ka urue që suksesi i parë me qenë tejkalimi i krizës.

Ndërsa ish-kryeministri Majko përmes urimit të tij ka thanë se udhëtimi i Hashim Thaçit nga Rambujeja në Presidencë asht pjesë e historisë së re të Kosovës.

Zgjedhjen e Thaçit president e ka urue edhe kryetari I BDI’s Ali Ahmeti, i cili ka thanë se pret thellim të bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.

Bashkimi Europian asht shprehë i shqetësuem për kushtet në të cilat u zgjodh Thaçi president, andaj ka kerkue nga liderët politikë me veprue në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kolektive dhe me i ulë tensionet.

Për postin e presidentit Hashim Thaçin e ka urue edhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Tue ja urue detyrën e re, Erdogan ka potencue randësinë e zhvillimit të marrëdhanieve mes dy vendeve.

Ambasadori amerikan Greg Delawie ka pershëndetë vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Thaçit president dhe ka denue dhunën e përdorun në Kuvend dhe jashtë tij.

Zgjedhjen e Thaçit president e ka urue edhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets, e cila uron që ai ta ketë mençuninë dhe fuqinë me i bashkue të gjithë kosovarët.

Ndërsa ministri i jashtëm i Austrisë Sebastian Kurz ka urue zgjedhjen e Thaçit President, tue shprehë shqetësimin për dhunën që e shoqnoi zgjedhjen e tij.

Postin e Presidentit Hashim Thaçi e ka fitue në raudin e tretë të votimeve, ku mori 71 vota.