Qe qysh Donika Kadaj-Bujupi dhe Fatmir Limaj injoruen Federica Mogherini’n

Bashkimi jonë asht ende nji vend i andrrave dhe shpresës dhe na nevojitet energjia juaj në Bashkimin Europian. Bashkimi Europian ka shumë nevojë për ju. Unë e di se këtë nuk e dëgjoni shpesh dhe mendoni se ju keni nevojë për BE’në, por edhe e kundërta asht e vërtetë dhe kjo ven mbi supet tuaja nji përgjegjësi shtesë.

Edhe pse kjo mundet me qenë deklarata ma e fuqishme e nji zyrtari naltë të Bashkimit Europian për Kosovën, asnji deputet i Kuvendit nuk pati as ma të voglin reagim me duartrokitje miratuese.

Gjithsesi, fjalimi në Kuvend i Përfaqësueses së Naltë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini ishte plot lavde dhe shpresëdhanës për kosovarët.

Ajo theksoi se arritjet e Kosovës po festohen edhe në Bashkimin Europian, tu’ shtue se rruga drejt suksesit bahet ma e lehtë kur jemi të bashkuem.

Megjithatë në Kuvend pati nji moment kur fjalimi i përfaqsueses së BE’s u ndërpre nga duartrokitjet e deputetëve.

Diplomatja e BE’s theksoi se Acociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk ka me e rrezikue sovranitetin e as nuk ka me shkelë ligjet e Kosovës, por ka me fortifikue dhe pasunue vendin, tue shërbye për nji Kosove ma të fortë.

“Acosiacioni nuk ka me qenë nji Qeveri paralele mbrenda Kosovës dhe nuk ka me pasë ligjet e veta. Ai ka me u ndërtue mbrenda kornizës ligjore dhe qeveritare të shtetit të Kosovës dhe ka me ndjekë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Këtu nuk rrezikohet integriteti i Kosovës”, tha Mogherini.

Shefja e diplomacisë europiane tha ndër të tjera, se Kosova ka përkrahjen e plotë të BE’s në rrugën e saj drejt familjes europiane, tu’ përshëndetë bashkimin e dy taboreve politike në seancën e sotme.

Jam shumë e lumtun dhe falenderuese që udhëheqësit e Qeverisë dhe opozita sot janë bashkue. Jam e lumtun që ata u bashkuen edhe para disa javësh për me diskutue Marrëveshjen. Më vjen mirë që Europa po e bashkon shtetin. Kjo ven shumë përgjegjësi mbi supet tona, por edhe mbi supet tuaja. Dallimet politike nuk duhet me u zhdukë, se kjo asht demokracia, por megjithatë, nji demokraci e re dhe e përgjigjshme, ka nevojë që të gjithë akterët me u ulë në nji tryezë të përbashkët, – vazhdoi Mogherini.

Tu’ iu referue edhe përvojës politike në vendin e saj, Itali, Mogherini tha se edhe demokracitë e Bashkimit Europian kanë kalue nëpër faza të vështira dhe të stagnimeve, por i kanë tejkalue dhe janë ba vende ma solide.

Por opozita duket se asht e vendosun për vetizolim. Sepse Fatmir Limaj, Donika Kadaj-Bujupi e të tjerë emna të njoftun nga opozita, e lëshuen sallën menjiherë mbas seancës, tu’ e injorue plotësisht Përfaqësuesen e Naltë të BE’s.

Të vetmit përfaqsues të opozitës që shtrënguen duert me të ishin Pal Lekaj i AAK’s e Valdete Bajrami e Nismës.

Krahas deputetëve në seancën e sotme solemne mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, ambasadorë, përfaqësues të BE’s për Kosovë, ish-Presidenti Sejdiu, ish-Kryeparlamentari Daci, e shumë të tjerë.