Qeriqi: Kemi kërkue nga Qeveria auditim të pamvarun për pastrimin e listave të veteranëve

Javën e kalueme veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë protestue para ndërtesës së Qeverisë për siç kanë thanë ata, padrejtësitë që u janë ba familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të luftës së UÇK’s nga ana e Ministrisë të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

E, ka nji kohë të gjatë që veteranët po kërkojnë nga institucionet atë që u takon ligjërisht, pensionet e tyne, derisa zyrtarët e qeverisë po thonë se Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të mbulue kërkesat e veteranëve që simbas listave janë me mija, shkruen Indeksonline.

E, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK’s, Xhevdet Qeriqi ka thanë në nji prononcim për Indeksonline se pamvarësisht takimeve që kanë zhvillue me zyrtarë e ministra, megjithatë nuk kanë arritë të gjejnë nji zgjidhje.

Ai ka theksue se dje ka marrë vesh që tashma janë sigurue mjetet për pensionet e veteranëve të UÇK’s për muejin Shtator, tue shprehë dëshirën që gjatë kësaj jave t’i marrin ato që u takojnë.

“Na kemi zhvillue dy takime me zyrtarë të ministrisë të punës dhe Mirëqenies Sociale, këto takime i kishim në fillimin e javës së kalueme, ku kemi bisedue rreth vendimeve të fundit të marra nga kjo ministri, mirëpo nuk kemi arritë asnji marrëveshje me ta”, ka thanë Qeriqi.

Ai përsëriti kërkesat e veteranëve ndaj Qeverisë, tue nisë me auditimin e pamvarun të listave të publikueme, për të cilat thuhet se janë të fryeme dhe jo reale.

“Na ka kohë që kërkojmë prej Qeverisë të Republikës të Kosovës që të baëhet nji auditim i pamvarun dhe listat të pastrohen, mirëpo qeveria edhe pse po e pranon se listat janë të fryeme, ajo nuk po reagon në këtë drejtim, por po hesht. Çka asht me randësi këto lista janë të fryeme dhe mendoj që institucionet kompetente duhet të bajnë hetim dhe të dalin me raport”, ka shtue Qeriqi.

Simbas tij, hetimet duhet të nisin nga ajo se si persona të caktuem kanë arritë të marrin statusin e veteranit, me çka i asht shkaktue dam shtetit në shumë forma.