Qeveria e quen akt kriminal sulmin me ‘koktej mollotov’ ndaj zyreve të Presidencës

Qeveria e Kosovës e ka quejt akt kriminal hedhjen e ‘koktej mollotovit’ në Zyret e Presidentes së Kosovës.

Në reagim, thuhet se dhuna mbi institucionet asht e nxitun dhe u promovue nga përfaqësuesit politikë.

Qeveria kerkon nga këta udhëheqës që të distancohen nga këto akte dhune.

Egzekutivi ju ka ba thirrje organeve të drejtësisë të zbardhin këtë ngjarje t’i nxjerrin para drejtësisë autorët.

 

Komunikata e plotë e Qeverisë:

 

Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotov mbi Policinë, ndërtesën e Qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se Kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike.

Aktet e tilla, Qeveria e Kosovës i konsideron të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët në paraqitjet e tyre publike, po përpiqen të arsyetojnë sulmet me molotov mbi shtëpitë private dhe institucionet publike, duke u thirrur në kauza krejt fiktive, që të heqin dorë nga një gjuhë e tillë.

Veprimet e tilla dëmtojnë interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, proceset e intensifikuara eurointegruese, fuqizimin e shtetit ligjor dhe perspektivën ekonomike të vendit.

Qeveria e Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik, të cilët duke u bazuar në kauza jo të qëndrueshme, kanë nxitur dhe promovuar futjen e gjuhës së molotovit dhe mjeteve tjera joligjore në jetën politike dhe publike në Kosovë, që të distancohen nga këto akte dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe fuqizim të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike.