Qeveria: Opozita po sajon kauza për perfitime politike

Qeveria e Republikës së Kosovës, lidhun me protestën e thirrun për sot nga tri partitë opozitare në Vushtrri, thotë se arsyeja e thirrjes së saj asht krejtësisht e pavërtetë dhe e shpikun nga opozita.

Qeveria e Kosovës njofton opinionin publik se n’asnji moment nuk asht bisedu me askend për themelimin e asaj që perfaqësuesit opozitarë e kanë pagëzu si “komunë e Prilluzhës” dhe se ajo nuk asht në plan që të realizohet.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se thirrja e qytetarëve në nji protestë kundër nji “komune” të cilën e kanë trillu vetë subjektet opozitare asht konfirmim i plotë i faktit se tre partitë opozitare po sajojnë kauza për përfitime politike, tue u përpjek të polarizojnë shoqninë kosovare dhe të destabilizojnë, mbi baza të ndryshme, situatën në vend.

Pretendimet për krijimin e “komunës së Prilluzhës”, janë nji sajim i radhës i tri partive opozitare, të cilat mbas diskreditimit publik të kauzave të deritashme dhe metodave jodemokratike të përdoruna në kuadër të tyne, po përpiqen që me trillime politike dhe tue mos kursye mjetet e dhunës, të manipulojnë qytetarët me qellim që të vijnë në pushtet.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton partitë opozitare që të heqin dorë nga manipulimet dhe kauzat fiktive dhe që të jenë pjesë e dialogut institucional për avancimin e proceseve integruese euroatlantike, zhvillimin ekonomik e social dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetit, në partneritet me SHBA’t dhe vendet tjera mike.