Qeveria: Respektojmë të drejtën për protestë paqësore, por edhe kthimin e qytetarëve në pronat e tyne

Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për incidentet e dhunshme që kanë ndodhë sot në Mushtisht, kanë thanë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të zyrës për komunikim më publikun nga Kryeministria.

“Qeveria e Kosovës respekton plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore, për çfarëdolloj arsye, e ritheksojmë paqësore, si e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e shprehjes së mendimit dhe kërkesave publike. Po ashtu, Qeveria e Kosovës konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë kryesve të tyne asht plotësisht legjitime”, thuhet në nji përgjigje të kësaj zyreje.

Mirëpo, po ashtu, Qeveria e Kosovës konsideron se çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, ka plotësisht të drejtë të kthehet në pronat e tij, në mënyrë të papengueme. Kjo asht e drejtë e garantueme me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me tana aktet ligjore, me konventat ndërkombëtare, por asht në përputhje me traditën, vullnetin dhe vizionin e popullit të Kosovës për bashkëjetesë paqësore.

Ndërsa, personat që kanë kry krime gjatë luftës duhet të përballen individualisht me drejtësinë.