Qeveria: Sulmi ndaj Kuvendit s’mundet me ndalë liberalizimin e vizave!

Qeveria e Kosovës denon ashpër sulmin e mbramshëm kriminal të kryem mbi objektin e Kuvendit të Kosovës, institucionit ma të naltë përfaqësues dhe ligjvanës në vend.

Përmes nji reagimi dërgue mediave, Qeveria e Kosovës konsideron se ky asht nji sulm qyqar i drejtuem kundër krejt institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

“Pa dasht me paragjyku nëse asht në linjën e akteve të dhunshme të paralajmërueme, Qeveria e Kosovës konsideron se akte të tilla nuk do të arrijnë me ndalë përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës për realizimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit”, thuhet në këtë reagim të Qeverisë së Kosovës.

Sulmet mbi institucione publike, mbi drejtuesit e tyne dhe policinë, si dhe mbi objektet private, simbas Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë veprime të ulëta dhe antidemokratike, “të cilat n’asnji rrethanë nuk mund të frigësojnë bartësit e institucioneve të Kosovës për kryemjen e obligimeve të tyne për realizimin e vullnetit të qytetarëve për lëvizje të lirë në BE, për zhvillim ekonomik dhe fuqizim të gjithanshëm të shtetit”.

Qeveria e Kosovës fton organet e rendit që të ndërmarrin krejt masat për zbardhjen e kryesve të këtij akti të randë kriminal dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe orkestruesit e tij.