Qeveria uron zotni Thaçin për fitoren e postit të Presidentit

Qeveria e Republikës së Kosovës përgëzon zotni Hashim Thaçi për zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, thuhet në nji njoftim të Qeverisë.
Më këtë rast, Qeveria e Kosovës, falënderon deputetët dhe partnerët e koalicionit qeveritar, të cilët, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në dhjetor të vitit 2014, me vullnetin e tyre kanë zgjedhur presidentin e ri të vendit, duke bërë një hap të rëndësishëm në funksionalitetin e mëtejshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, falënderon ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë, si dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë, të cilët morën pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, ku në përputhje të plotë me aktet ligjore u zgjodh presidenti i ri i vendit.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e plotë për angazhim maksimal në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe në fuqizimin e partneritetit me SHBA-të dhe vendet tjera mike.
Qeveria e Kosovës apelon te subjektet politike për dialog institucional dhe përkushtim të përbashkët në avancimin e objektivave nacionale, duke lënë anash mospajtimet momentale”, thuhet në njoftim.