Qysh e shkeli ligjin ish-Kryeministri Bajram Kosumi?

Ish-Kryeministri Bajram Kosumi, për ma shumë se 5 muej i ka mbajt kundër ligjit 2 pozita të randësishme.

Mbajtja e këtyne dy pozitave – Rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe anëtar i Këshillit Shtetnor të Cilësisë, përban shkelje të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Mbajtja e dy posteve nga ish-Kryeministri asht hetue nga Agjencia Kundër Korrupcion. Kjo agjenci me 9 Mars ka marrë vendim lidhun me rastin e Kosumit, e ka detyrue ish-Kryeministrin me dhan dorëheqje nga njani prej posteve. Ai ka zgjedh me dorëzue postin e anëtarit të Këshillit Shtetnor të Cilësisë.

Bazuem në vendimin e Kundër Korrupsionit, Kosumi asht paralajmërue nga zyrtarët e këtij institucioni për shkeljen e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Zyrtari i lartë z. Kosumi është deklaruar se edhe ashtu ka qenë në proces të largimit nga ushtrimi i funksionit të anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për shkak se angazhimi në pozitën e Rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, kërkon punë dhe angazhim të madh dhe në këtë formë nuk mund të jetë sa duhet frytdhënës në Këshillin Shtetëror të Cilësisë“, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Ma mbas Kosumi ka sjellë në Agjenci dokumentin që tregon se i ka ofrue dorëheqjen Arsim Bajramit, ministër i Arsimit dhe Blerim Rexhës, kryetar i Këshillit Shtetnor për Cilësi.

Ky veprim i tij ka ba që Kundër Korrupsioni me mbyll rastin ndaj Kosumit.

“Rasti mund të rihapet në cdo kohë kur mund të paraqiten rrethana të reja”, thuhet në vendimin e Kundër Korrupsionit.