Kush fshihet mbas “Qytetarëve të Pakënaqun” ?

Edhe disa vetura të tjera janë shtue në listën e gjatë të veturave të djeguna në muejt e fundit në krejt vendin. Radhën e kishte vetura e prokurorit special, Ali Rexha në Mitrovicë, e cila simbas dëshmitarëve asht djegë mbramë para mesnatës nga persona të panjoftun. E po në Mitrovicë, pak ma vonë, në parkingun e EULEX’it janë damtue katër vetura të Misionit Europian. Vetura të tjera janë djegë në Pejë, Ferizaj, Gjilan e Malishevë. Në Pejë, me molotov asht djegë vetura e Agjensionit dhe Veterinës së Ushqimit, në Gjilan vetura e Ministrisë së Mbrendshme, në Malishevë vetura e Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Simpas komunikatave të Policisë, e cila ka dalë menjiherë në vendin e ngjarjes, rastet po hetohen për “damtim të pronës” ose “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, pa dhanë detaje ma shumë.

E derisa autorësinë e sulmit e kanë marrë “Qytetarët e Pakënaqun”, të njajtit që sulmuen me molotov Zyrën e Presidentes së Republikës, gjatë fundjavës së kalueme.

Në nji email të tyne të publikuem sot, përmes nji fjalori ku dominon zhargoni dhe fjalët e randa në adresë të lidershipit të koalicionit qeverisës PDK-LDK, përmendet si motiv kundërshtimi ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Mirëpo referimi ndaj Asociacionit asht prapë me termin “Zajednicë”, i cili ka hy në fjalorin politik të Kosovës ekskluzivisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

E nga ana tjetër, edhe pse Vetëvendosja vazhdon me e mohue përfshimjen e aktivistëve të saj në këto akte, dy prej aktivistëve të Lëvizjes janë arrestue me këto akuza gjatë 48 orëve të fundit. I pari, për sulmin me molotov ndaj shtëpisë së Kryeministrit me 26 Fror, u arrestue Kushtrim Avdimetaj, e sot, Policia njoftoi arrestimin e nji tjetër aktivisti të Vetëvendosjes, po me dyshimin se ka marrë pjesë në djegiet e veturave të zyrtarëve të naltë.

Simbas Policisë, Alket Zeqiri ka djegë veturën e grues së Zv/Ministrit të MAPL’s, Bajram Gecaj, me 24 Fror.

Por Vetëvendosja e ka kundërshtue menjiherë këtë akuzë, tu’ e quejtë si montim kriminal e fashist. Lëvizja i kërkon Policisë që përmes kamerave të sigurisë në shesh, me vërtetue alibinë e Zeqirit, që simbas saj, atë ditë ka qenë në kampin me tenda të opozitës para Qeverisë.

Televizioni Rrokum ka raportue ftesën publike, që nënkryetari i Vetëvendosje, Driton Çaushi u ka ba pikërisht këtyne “Qytetarëve të Pakënaqun” për me iu bashkue protestës së opozitës me 26 Mars. Madje, i pyetun për këtë, eksperti i çashtjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi e konsideroi të papërshtatshme këtë ftesë, tue shtue se nëse në protestë del kjo kategori e njerëzve të dhunshëm, atëherë ajo nuk mundet me qenë protestë paqësore.

Nga ana tjetër, të vetmit të arrestuem për djegiet e veturave dhe të tjera sulme me molotov deri tash, rezultojnë me qenë aktivistë të Vetëvendosjes.

E djegien e veturave, si akte të koordinueme kriminale kundër shtetit të Kosovës e ka dënue sot Qeveria, tue ftue autorët me heqë dorë prej këtyne veprimeve, por edhe organet e sigurisë e drejtësisë që me i zbardhë rastet. Qeveria nuk ka harru’ me shtue se subjektet e përfshime në këto akte nuk munden me i realizue synimet politike përmes medotave anarkiste.

Aktin e djegies së veturave e kanë dënue edhe disa parti politike të koalicionit qeveritar, por edhe Nisma për Kosovën, që simbas saj¸ damtojnë imazhin e vendit dhe krijojnë pasiguri te qytetarët.