Rama e ‘godet’ Blushin: Kur ta ban partinë s’ka me ba as punë as romane!

Mbasi të zgjidhet kryetari i LSI’s na kemi me u ungjë dhe kemi me diskutue. Ndërkohë që unë tue besue që nuk do kemi surpriza në ato zgjedhje, mendoj që kjo do të jetë një formalitet…”

Keshtu ka thanë kryeministri shqiptar Edi Rama në nji intervistë për Studio e Hapur:

 

Kjo asht intervista e plotë: 

 

Kryeministri Edi Rama ka folur dje për herë të parë për largimin e deputetit Ben Blushi dhe akuzat ndaj tij. Në emisionin “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili në News24, Rama ka ‘këshilluar’ rivalin e tij që ‘tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane’. Kryeministri ka folur edhe për marrëdhëniet e koalicionit dhe përsëritjen e tij për zgjedhjet e 2017-s. Rama ka hedhur poshtë aludimet për zëvendësimin e LSI-së nga PDIU-ja, duke thënë se secila forcë ka vendin e vet dhe se në koalicionet parazgjedhore nuk do të ketë surpriza.

Le të qëndrojmë sërish te historia, te një histori tjetër problematike siç është Greqia, them problematike për shkak të disa deklaratave që së fundmi ministri i Jashtëm grek ka artikuluar, i cili kujton forcën greke, ushtrinë, flotën etj. Duket si një deklaratë lufte, i keni lexuar besoj këto deklarata, çfarë mendoni?

Mendoj që është një deklaratë për konsum të brendshëm, në opinionin publik grek dhe mua më ndjell një buzagaz të lehtë miqësor.

Asgjë më shumë? Është ministri i Jashtëm… Kemi një problem ne me qeverinë greke lidhur me çështjen çame?

Jemi dy vende anëtare të NATO-s, dhe siç e dimë ne e dinë dhe fqinjët tanë grekë, kështu që këto lloj deklaratash janë konsum i brendshëm që nuk është i panjohur në politikën greke dhe s’ka asnjë problem për ne. Nuk i marrim dot seriozisht si kërcënime, sepse unë nuk i konsideroj kërcënime, i konsideroj një shprehje vetëdehjeje nga ana e fqinjëve tanë atje brenda. Por ne s’kanë çfarë force na tregojnë fare.

A ka sot tension mes Tiranës dhe Athinës për çështjen çame dhe a është futja në koalicion e Shpëtim Idrizit një element që e ka akseleruar disi këtë lloj tensioni?

Ne jemi në Shqipëri dhe jemi këtu në lirinë dhe të drejtën tonë për t’u futur e për të dalë në skenën politike si të duan. Kemi të drejtën tonë për të ndërtuar koalicionet që duam dhe nuk e imagjinoj dot që ne të kemi vërejtje se me kë bën koalicion në Greqi një X me një Y. Prandaj e kam thënë dhe e përsëris se çfarë bëjmë ne këtu me politikën tonë dhe me njëri-tjetrin nuk është një çështje ku presim këshilla apo presim vërejtje nga fqinjët tanë.

Kërkesa keni pasur për mospërfshirjen e PDIU-së në koalicionin qeverisës?

Ka pasur një deklaratë që Ministria e Jashtme greke të kishte një opinion se kush u zgjodh nënkryetari i parlamentit në Shqipëri. A e imagjinoni dot ju që Ministria jonë e Jashtme të ketë një opinion dhe ta bëjë publik, duke shprehur rezervë për nënkryetarin e parlamentit grek, që unë as nuk e njoh dhe as kam fare kuriozitet ta di se kush është. Është e njëjta gjë. Ne kemi ndërtuar një marrëdhënie simetrike me Greqinë dhe me të gjithë. Ne nuk jemi as superfuqi, as nuk mendojmë që jemi të veçantë dhe të tjerët duhet të na dëgjojnë dhe të na rrinë gatitu. Nuk i imponohemi askujt. Ne thjesht kemi një princip, brenda 28 mijë kilometrave katrorë të Shqipërisë vendosim ne. Dhe interesat tona nuk negociohen, as në Athinë, as në Beograd dhe asgjëkundi tjetër. Interesat tona negociohen këtu midis nesh.

Asnjë qeveri nuk ka pranuar një ministër çam, në kabinet. Ka qenë kërkesa e Athinës kjo apo jo?

Duhet të pyesni kryeministrat më parë nëse kjo ka qenë kërkesa e Athinës. Por unë di të them kaq, që kërkesa të tilla nëse ka pasur në të shkuarën, nuk mund të ketë në qeverinë time.

A ka një lloj tensioni brenda koalicionit tuaj me zotin Meta dhe zotin Idrizi. Një gazetar i njohur, zoti Baze në një editorial të tij tha diçka të tillë, që në fakt ka një luftë midis Metës dhe Ramës dhe jo midis Greqisë dhe Serbisë. Duke patur parasysh miqësinë që ju i shprehni Serbisë dhe një lloj tensioni me Greqinë. Ka një luftë midis Metës dhe Ramës?

Unë kam kuptuar një gjë që lufta midis meje dhe Ilir Metës, që kurse ne jemi bashkuar në një koalicion është një nga burimet që frymëzojnë gazetarinë tonë dhe vazhdimisht prodhon skenarë, prodhon tablo sinoptike, prodhon analiza. Por luftë midis meje dhe Ilir Metës nuk ka. Ne jemi në një koalicion, jo në një parti. Nëse më tregoni një koalicion, jo këtu por në të gjithë Europën që nuk ka fërkime, kontradikta, atëherë unë do t’ju them, po paska dhe një të tillë. Unë ju them që në funksion të reformave koalicioni ynë është më kompakt se çdo koalicion tjetër që ka në Europë. Kur bëhen përpjekje për të bërë reforma në vende të tjera të Europës, koalicionet shkojnë deri në përplasje të natyrës që një parti del me ministrat në protestë, partia tjetër rri me ministrat në zyrë. Ne nuk kemi gjëra të tilla.

E mbaruat me çështjen çame?

Unë doja vetëm të theksoja këtë, që çështja çame thuhet çështje çame për t’u kuptuar, por është çështje shqiptare, është çështje e Shqipërisë dhe ndoshta përsëritja thjesht si çështje çame për t’u kuptuar lë shpesh herë dhe shteg për të bërë dhe abuzime, spekulime të natyrës jo ata bashkëpunuan me nazistët jo andej, jo këtej. Jo, s’ka lidhje farë. Kjo është një çështje e Shqipërisë, është në dosjen e diskutimeve që do bënim me Greqinë, meqë ra fjala ne me Greqinë nuk kemi ndonjë tension luftarak, ne me Greqinë kemi që nga dita e parë disa kërkesa të thjeshta, për t’iu dhënë marrëdhënieve një hov të ri. Askush nuk mund ta mohojë, as ata nuk e mohojnë që marrëdhëniet kanë pësuar një ngërç me paktin famëkeq të detit, të cilin ne e kundërshtuam dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi. Po ashtu ne kemi një tjetër çështje që ne duam të zgjidhet. Dhe duam të zgjidhet jo sepse duam tensione, por pikërisht sepse duam paqe harmoni, vëllazëri me fqinjët tanë të dashur, që është ligji i luftës. Unë i mirëkuptoj grekët kur thonë ç’është kjo, kjo është një gjë kot. Meqë është një gjë kot, ta fshijmë këtë gjë kot, mos ta lëmë aty. Dhe aq kot nuk është. Ne kemi gatishmërinë që këtë gjë ta zgjidhim me dialog. Jemi në dialog të vazhdueshëm dhe unë personalisht mund t’ju them që me qeverinë e kryeministrit Cipras e kemi intensifikuar këtë dialog.

Shqetësimi im është gjë tjetër. Ju folët për një mbarëvajtje kaq të madhe, mbarëvajtja e koalicionit, ju po thoni që e keni në tryezën e bisedimeve çështjen çame, ndërkohë që gjatë vizitës së tij, zoti Meta thuajse nuk e artikuloi. Ka këtu ndonjë problem?

Gaboni gjithmonë kur kërkoni që unë dhe Ilir Meta të flasim njësoj. Nuk jemi njësoj, nuk flasim njësoj. Jemi në koalicion, nuk jemi as në një parti, as në një tipologji si njerëz. Jemi dy parti të ndryshme dhe jemi dy tipa komplet të ndryshëm.

Ju po thoni që janë dy qëndrime krejtësisht të ndryshme për çështjen çame?

Jo unë nuk thashë këtë. Mos kërkoni që kur dëgjoni Ilir Metën t’ju kujtohet Edi Rama apo kur më dëgjoni mua t’ju kujtohet Ilir Meta se kjo nuk ndodh.

A po mendoni ta zëvendësoni LSI-në me PDIU-në si aleate qoftë edhe për një koalicion parazgjedhor?

Ta zëvendësoj? LSI-ja është në vendin e vet dhe PDIU-ja është në vendin e vet. Ne sigurisht jemi në vendin tonë. Nuk e kuptoj pse ta zëvendësojmë.

Dibra tregoi që patët një bashkëpunim shumë më të madh me PDIU-në se me LSI-në…

Konteksti në Dibër ishte i tillë që pati një angazhim më të madh nga ana e PDIU-së por nuk mund të thuhet që s’pati interesim nga LSI-ja pasi ju kujtoj që në të dyja rastet që unë kam qenë në Dibër kam qenë i shoqëruar me figura të larta të lidershipit të LSI-së.

Por dhe diferencën sapo e thatë vetë: impenjim të madh të PDIU-së dhe një lloj interesimi nga LSI-ja.

Pati një angazhim atje më të madh për shkak dhe të një strukture shumë vibrante që ka PDIU-ja në atë zonë.

Ju keni thënë se shumë shpejt do të shpallni vendimin për koalicionin me LSI-në për zgjedhjet e 2017-s. Kur do ta bëni këtë?

Kjo është një çështje që formalisht dhe normalisht duhet pritur edhe për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së sepse ju e dini që LSI-ja është në një fushatë intensive për zgjedhjen e kryetarit. Mbase kur të zgjidhet kryetari i LSI ne do ulemi dhe do diskutojmë. Ndërkohë që unë duke besuar që nuk do kemi surpriza në ato zgjedhje mendoj që kjo do të jetë një formalitet pasi në diskutimet tona me kryetarin aktual të LSI-së, herët e fundit jo vetëm që nuk është vënë në pikëpyetje koalicioni në 2017-n por është folur për domosdoshmërinë e një funksionimi edhe më të mirë të tij.

Pra, ju nuk e diskutoni këtë gjë. LSI-ja do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor të 2017-s?

Nuk e diskutoj, sepse Ilir Meta nuk e ka vënë në diskutim këtë çështje. Por, sigurisht ata janë edhe në fushatë tani dhe kuptohet që fushata ka ato të vetat. Kur të mbarojë fushata, kur të zgjidhet kryetari ne do ulemi dhe do diskutojmë përsëri dhe unë besoj që nuk do ketë surpriza.

A do ta votoni Ilir Metën si president në maj të 2017-s?

Kjo është një temë për të cilën ne do diskutojmë brenda koalicionit dhe kur të diskutojmë brenda koalicionit të jeni e sigurt që News24 do ta ketë lajmin më shpejt se të tjerët për shkak se është edhe më e shpejtë në dhënien e lajmit me sa kam parë kohët e fundit.

Do doja të flisnim për një ish-mikun tuaj, Ben Blushin, i cili javën e kaluar deklaroi tërheqjen e tij nga PS. Ju e gjetët në atë parti në fakt. Ai iu ndihmoi që ju të hynit në atë parti. Si ndiheni për largimin e tij?

Meqë ka ikur nga partia mund të thyej heshtjen, por për të thënë shumë thjesht, Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti, Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane. Kështu mendoj unë për Ben Blushin.

Si ndiheni kur njeriu thuajse i vetëm në atë kohë që iu kundërvu Nanos dhe mbështeti fuqimisht hyrjen tuaj në parti u detyrua të largohet për shkakun tuaj, duke iu bërë ju fajtorin kryesor?

Kjo është histori dhe për historinë unë preferoj të flas kur të kem mbaruar punë me aktualitetin dhe aktualiteti im është deri kur unë do të jem në krye të qeverisë.

A është e vërtetë që në 2009-n ka pasur një marrëveshje xhentëlmenësh mes ju e Blushit të ngjashme si Toni Blair dhe Gordon Brown? Në një intervistë në këtë studio Blushi u përgjigj me një “no coment” por nuk e mohoi…

Unë them të kalojmë te pika tjetër sepse është humbje kohe tani të merremi me Blushin.

Ai lajmëroi formimin e një partie të re. Mendoni që mund ta dëmtojë kjo gjë PS-në, mendoni që mund të marrë vota socialistësh në 2017-n nëse do të paraqitet në zgjedhje?

Unë mendoj që në këtë fazë mllefi atomik me PS-në, Blushi është mirë të bëjë një roman tjetër se për partinë e Blushit s’do ketë as punë, as roman, këtë di unë.

Është e vërtetë që i keni kërkuar votën për një mocion që po përgatitej?

Unë t’iu kërkoja votë anëtarëve të PS-së? Nuk kam kërkuar votë sepse nuk kam dyshuar për asnjë moment që anëtarët e grupit parlamentar përfshi edhe Ben Blushin nuk do ta përkrahnin një mocion të tillë nëse ky do të ndodhte.

Blushi tha që ka vënë kusht rikthimin e demokracisë dhe zgjedhjeve në parti?

Dakord, kjo është pjesa e romanit pastaj.

Ju e mohoni që ia keni kërkuar votën?

Absolutisht po!

Mohoni gjithashtu që i keni ofruar poste ministrore zonjës Hafizi?

Kujt?

Zonjës Mimoza Hafizi.

Për Ben Blushin edhe mund të shpenzonim pak kohë se i ka bërë nja tri romane. Por Mimozën le ta lëmë të hajë përsheshin në partinë e Blushit dhe të mos merremi me këtë temë, ju lutem.

Nuk është etike për një grua, një shprehje e tillë, qoftë edhe nga kryeministri…

Është një shprehje e njohur kjo dhe nuk ka lidhje fare dhe mos ma vini gjithmonë këtë përpara është etike për një grua, është etike për një burrë sepse unë nuk i ndaj njerëzit në burrë e në gra. Unë i konsideroj të gjithë të barabartë kur është fjala për të diskutuar për politikën dhe mes njerëzish që janë të përfshirë në politikë. Disa duke bërë punë, disa duke ngrënë përshesh por kjo është një çështje që nuk i ndan njerëzit në burra dhe në gra. Përsheshi është përshesh edhe kur e hanë burrat edhe kur e hanë gratë.

A ka vend konspiracioni, në fakt edhe shumë qytetarë na kanë shkruar në facebook se Ben Blushi është lojë e PS-së për të mbledhur votat e të pakënaqurve?

Tani vërtet keni kaq shumë kohë në dispozicion ju për t’u marrë me këtë mikrotemë. Unë mendoj që ka tema të tjera të rëndësishme për të folur. Është mirë të flasim për Shqipërinë.

Ku e poziciononi veten?

Ne jemi e majta e shekulli të ri dhe jemi të palëkundur në vijën tonë, e cila në qeverisje po jep rezultate. Kjo është më e rëndësishme. Se për të folur për seksin e engjëjve mund të flasim të gjithë, por rezultatet janë aty. Mapo.al