Rama n’Kongresin e PS’s falenderon Fatos Nanon!

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij në Kongresin e Partisë Socialiste tue prek aty ku asht plaga: tek mundësia që Kongresi të provokojë debat e ndamje.

Ai siguroi se diçka e tillë nuk do të ndodhë.

Fjala e kryesocialistit Rama në Kongres nisi me nji perifrazim të shkurtë për pritshmënitë e “grupit Blushi”.

“Ka nji pakicë shumë të vogël këtu, që nga ky Kongres pret të gjejë sesi do t’i bahet hallit statutor të mandatit tim dhe simbas tyne, unë këtu sot jam i pamandatuem”, tha Rama, tue shtu se kjo do të diskutohet ma gjanë në pjesën e tretë të Kongresit.

Kryeministri foli edhe për kundërshtarët jashtë partisë dhe pritshmënitë e tyne për rezultatet e këtij Kongresi, tue ironizu me “gotën e ujit”.

“Jashtë kësaj shtëpie ka plot forca me njerëz që presin me interes të madh çdo të ndodhë në këtë Kongres.

Shumë urojnë që të na ndodhë ndonjë gja e ‘ububushme’, qoftë të na përmbyset ndonji gotë ujë, pastaj të bajnë lajm që anija jonë u përmbyt.

Por do të zhgënjehen. Nga ky Kongres do të dalim ma të fortë dhe të karikuem, ma të motivuem për të çue reformat në drejtimin e duhun”, deklaroi ai

Më pas, ai nisi nji seri me falenderime, tue përmend të parin, Gramoz Ruçin.

Rama tha se Ruçi e ka këshillu të mos permendë emna kur ban falenderime, mbasi u ngel hatri të tjerëve.

Rama e nisi me falenderime dhe i pari ishte Ruçi, për të cilin kishte kaq shumë lavdime për rolin që ka luejt në PS.

Më pas, nji falenderim dhe ftesë për Fatos Nanon.

“Nji falenderim për paraardhësin tim, liderin e parë të kësaj partie, Fatos Nano.
Deshiroj të na bashkohet në 25-vjetorin e kësaj partie dhe të gjejë deri atë ditë fjalët e duhuna për kontributin e tij në forcimin e karakterit demokratik të PS.

Çfarë na ka nda me të, nuk e ndan në dysh historinë e kësaj partie dhe nuk e ban ma pak të randësishëm Fatos Nanon me dritëhijet e tij,” tha Rama.