Rasti i Kumanovës, qe pse avokatët e leshojnë seancën gjyqësore!

Avokati Naser Raufi, nji nga mbrojtësit e të akuzuemve në të ashtuquejtunin “Rasti i Kumanovës” para disa minutave ka leshu seancën e sotme në gjykatën e Shkupit, lajmëron agjencia INA.

Reagimi i tij erdhi si shejë pakënaqësie për shkak të pamundësimit të prezencës se familjarëve të akuzuemve dhe për shkak të pamundësisë së prezencës së gazetarëve.

Menjiherë mbas tij, edhe avokati mbrojtës i pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës Lupço Veselinovski e ka lëshu seancën në shejë solidarizimi me kolegun e tij.

“Ky rast nuk asht lojë. Kërkoj të sigurohen kushte elementare për zhvillim të procesit. Nuk kemi as çantat ku me i la. Edhe unë do e lëshoj seancën”, deklaroi Veselinovski.

Gjykatësja akuzoi avokatët se po rrenojnë rastin.

Ajo tha se kushtet e gjykatës janë të tilla.

Mirëpo ka reagu edhe avokati Shasivar Iseni, i cili tha se në Pallatin e Gjykatave ka salla ma të mëdha me kushte ma të mira për zhvillim të seancës.

Ai vlerësoi se instanca ma të nalta po tentojnë të bajnë opstrukcione ndaj rastit, tue mos kriju kushte për zhvillim normal të rastit.

Në këtë situatë, gjykatësja ishte e detyrueme me ndërpre seancën dhe me dhanë gjysë orë pauzë.

Gjykatën e leshuen edhe avokati Asmir Alispahiq dhe Bujar Kurtishi.

Gjykatësja u arsyetu se seanca asht transparente dhe se aty ka përfaqësues nga OSBE, Komiteti i Helsinkit dhe ambasada e Kosovës.

Gjykatësja i paralajmëroi avokatët se për shkak të leshimit të seancës do të denohen dhe do të detyrohen të paguejnë harxhimet e seancës.