Reagon Vetëvendosje për vendimin e Kushtetueses, qe çka thotë

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Gjykata Kushtetuese as kësaj radhe nuk u mor me substancën, me faktet dhe argumentet që përmbante kërkesa.

Mbas vendimit të Kushtetueses rreth zgjedhjes së Hashim Thaçit President, VV thotë se po të ishte marrë me trajtimin e substancës, nuk kishte me shpallë si të ligjshme zgjedhjen e Thaçit President.

Simbas VV’s, kur rastet e ndjeshme politikisht dërgohen në Kushtetuese, dhe kur prekin personat e pushtetshëm në Kosovë, Gjykata po i shpallë si “qartazi të pabazueme” për shkak se nuk ka guxim me i trajtue argumentet që paraqiten.

Reagimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese sipas aktvendimit të sotëm konsideron se kërkesa e opozitës për zgjedhjen e Thaçit president nuk arsyetohet prima facie ose nuk është qartazi e pabazuar dhe se parashtruesi nuk dëshmon në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Gjykata as kësaj radhe nuk u mor me substancën, me faktet dhe argumentet që përmbante kërkesa. Po të ishte marrë me trajtimin e substancës, pashmangshëm nuk do të mund ta shpallte si të ligjshme zgjedhjen e Thaçit President. Kur rastet që dërgohen në Gjykatë Kushtetuese janë të ndjeshme politikisht, dhe kur prekin personat e pushtetshëm në Kosovë, Gjykata po i shpallë si “qartazi të pabazuara”, për shkak se nuk ka guxim t’i trajtojë argumentet që paraqiten në to. Kështu kishte vepruar edhe në vitin 2013 kur Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte dërguar Marrëveshjen e 19 prillit, e edhe atëherë kur Avokati i Popullit kishte kontestuar vazhdimin e mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë, që e pati bërë Presidentja Jahjaga. Në rastin e parë, e demantoi vetveten Gjykata kur e trajtoi marrëveshjen për “Zajednicën”, e në rastin e dytë doli që Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani kishte bërë falsifikim.
Përmes këtij aktvendimi, Gjykata Kushtetuese ra në kundërshtim me vendimin e vetë paraprak, për rastin Pacolli. Kjo na tregon se Gjykata Kushtetuese nuk e ka për bazë drejtësinë, por interesin e politikanëve në pushtet, dhe vendimet që merr domosdo ju shkojnë për shtati atyre.
Aktvendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është absurd, kontradiktor dhe i pabazë. Gjykata me këtë rast po dëshiron të i ikë përgjegjësisë që ka, duke mos guxuar ta trajtojë lëndën. U dëshmua edhe njëherë ajo që Lëvizja VETËVENDOSJE! e thotë tash e sa kohë: Gjykata Kushtetuese është e kapur nga pushteti. Me një pushtet të tillë që kontrollon secilin institucion që duhej të ishte i pavarur, është e pamundur të kemi drejtësi, zhvillim e barazi.